Qyteti i Mençur i UBT-së në fokus – Rektori Hajrizi folës në Konferencën e Qyteteve të Mençura në Budapest
24/09/2024Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ishte folës në konferencën e organizuar nga platforma Improvate në Budapest për Qytetet e Mençura në Evropën Qendrore dhe Lindore. Kjo ngjarje prestigjioze mblodhi ekspertë, politikanë, inovatorë, kryetarë e nënkryetarë qytetesh, nga e gjithë bota për të eksploruar zgjidhje për zhvillimin urban të qëndrueshëm.
Rektori Hajrizi prezantoi ekosistemin e UBT-së të krijuar duke u mbështetur në kërkim dhe inovacion, i cili ndër tjerash shërben për zhvillim të qëndrueshëm për qytetet e mençura përmes aplikimit të teknologjive të reja dhe ideve inovative.
Rektori Hajrizi nënvizoi kontributin e UBT-së në ofrimin e zgjidhjeve të mençura në qytete të ndryshme në Kosovë e më gjerë, ndërsa kompanive pjesëmarrëse në konferencë i ofroi pikëtakim së shpejti në Qytetin e Mençur të UBT-së në Lipjan, për të bashkëbiseduar për krijimin e sinergjive të përbashkëta për aplikimin e përbashkët të zgjidhjeve të mençura në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Rektori Hajrizi gjithashtu vizitoi Ambasadën e Kosovës në Hungari, me ç’rast u takua me Ambasadorin Delfin Pllana, me të cilin diskutoi për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.