Qindra të rinj nga Kosova po marrin pjesë në garën “Data Science Hackathon” (Foto&Video)

23/03/2019

Qindra të rinj entuziast dhe të talentuar në fushën e teknologjisë, po marrin pjesë në garën më të madhe në vend “Data Science Hackathon”, ku është organizuar si rezultat i bashkëpunimit mes akademisë dhe industrisë, konkretisht nga UBT dhe Raiffeisen Bank.

 

Të bashkuar në grupe prej 2 deri në 5 kandidatë, të frymëzuar dhe me ide inovative, ata bashkërisht po punojnë për të ofruar zgjidhje kreative për problemet me të dhëna dhe punën me big data.

 

Në hapjen e kësaj gare, rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi tha se institucioni gjithnjë do të përkrahë ngjarje të tilla në të cilat prezantohen koncepte të rëndësishme, siç është mësimi eksperimental.

 

Ai tha se falë këtyre aktiviteteve të rinjtë motivohen, gjenerojnë dhe shfaqin talentin e tyre.

 

“Kjo është një garë e cila po organizohet për herë të parë në Kosovë, që për fokus ka identifikim e talentëve të rinj ose inovatorët e së ardhmes. UBT ka edhe shkollën më të madhe të IT-së në Ballkan, andaj, sigurisht që do të jemi në hap me prurjet e reja teknologjike, e do të punojmë bashkërisht me të rinjtë, me partnerët tanë që të zhvillojmë temat që vërtet janë me rëndësi, si Data Science”, potencoi rektori Hajrizi.

 

Ndërkaq, anëtari i Bordit Menaxhues në Raiffeisen Bank, Shukri Mustafa, tha se fokusi i garës është përfshirja e studentëve në gjetjen e mënyrave se si të digjitalizohen bankat tradicionale.

 

Sipas tij, bankat tanimë duhet të ofrojnë shërbime të standardizuara dhe duhet të jenë të dizajnuara në mënyrë digjitale.

 

“Organizimi i garës në fjalë ka të bëjë më grumbullimin e të dhënave, pasi është një pasuri e madhe kur ke të dhëna të shumta të klientëve. Përveç shfrytëzimit të të dhënave, duhet të bëhet edhe analizimi i pjesës së rrezikshmërisë që u kanoset klientëve dhe sigurisht duhet të nxjerrën analiza të tilla nga kjo garë, analiza që dëshirojmë ti shfrytëzojmë në punën e bankës tonë”, theksoi ai.

 

Garuesit i vizitoi shefja departamentit të riskut në bankën Raiffeisen, Anita Kovacic, si dhe kryetari i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija.

 

Data Science Hackathon do të zhvillojë punimet edhe nesër më 24 mars, ndërkaq në bazë të rezultateve të treguara, juria profesionale do të shpallë edhe tri grupet më të suksesshme.

 

Vendi i parë do të shpërblehet me 1 mijë e 500 euro, vendi i dytë me 1 mijë euro dhe vendi tretë me 500 euro. Gjithashtu do të ndahen edhe shpërblime të tjera, si pajisje të shumta teknologjike.