Qendra MVPT informon dhe sensibilizon studentët e UBT-së për dukurinë e trafikimit me qenie njerëzore

24/10/2018

Qendra për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit me qenie njerëzore, “Mbroj Viktimat, Parandalo Trafikimin”, ka realizuar sesionin e parë informues me studentët e UBT-së.

Ky aktivitet është mbajtur në kuadër të projektit “Lëvizja Përpara”, përkrahur financiarisht nga zyra e BE-së në Kosovë.

 

Përmes këtij sesioni studentët patën mundësi të sensibilizohen dhe të debatojnë rreth dukurisë së trafikimit me qenie njerëzore, teksa udhëheqësit e organizatës i informuan edhe për qendrat dhe strehimoret të cilat veprojnë dhe u dalin në ndihmë viktimave të trafikimit në Kosovë. Të njëjtit, po ashtu, sqaruan edhe nivelet e rrezikshmërisë me të cilat përballen viktimat, në raport me trafikuesit e tyre.

 

Panelistë në këtë sesion ishin zv.drejtoresha e MVPT-së, Teuta Abrashi, koordinatorja e Qendrës Rehabilituese në këtë organizatë, Lulëjete Prekazi, menaxherja e projektit, Gresa Kelmendi dhe përfaqësuesi nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me qenie njerëzore nga Policia e Kosovës, Naim Raci.

 

Zv. drejtoresha e MVPT-së, Teuta Abrashi tregoi se në Kosovë veprojnë tri strehimore, në të cilat strehohen viktimat që kanë qenë të trafikuara, ose që janë në rrezik për t’u përballur me një dukuri të tillë.

“Pasi të përballen me një dukuri të tillë, ne mundohemi që t’i risistemojmë viktimat përmes programeve ditore dhe rezidenciale, që kanë për qëllim mbështetjen dhe ofrimin e procedurave për riintegrim”, tha ajo.

Informata shtesë mbi këtë dukuri, përhapja e së cilës rrezikon stabilitetin e një shoqërie të shëndetshme, dhanë edhe panelistët e tjerë që morën pjesë në këtë sesion informues.

 

Ky aktivitet i mbajtur nga organizata “MVPT” është organizuar në muajin tetor, që ndërkombëtarisht njihet si muaji për luftim të dukurisë së trafikimit të qenieve njerëzore.