Qendra Këshilluese vazhdon përkrahjen psikologjike online për studentët e UBT-së

17/06/2020

Gjatë periudhës së pandemisë, Qendra Këshilluese për Studentë, udhëhequr nga psikologia Vjollca Pllana, ka ofruar këshillim psikologjik online falas për të gjithë studentët e UBT-së në të gjitha degët, programet dhe nivelet e studimit.

 

Sipas psikologes Pllana, situata e krijuar ka shkaktuar çekuilibrim emocional e psikologjik tek studentët, prandaj, qendra që ajo drejton është kujdesur për të ofruar këshilla për të ruajtur shëndetin mendor.

 

“Kujdesi për shëndetin mendor është tejet i rëndësishëm në çdo kohë, mirëpo përballë situata sfiduese dhe stresuese, nevoja për kujdes shtohet. Ballafaqimi me pandeminë na ka vënë të gjithëve në rrezik të shtuar për çekuilibrim emocional e psikologjik, për arsye se jemi përballur me një të panjohur të madhe, jemi detyruar të izolohemi, të ndryshojmë rutinën dhe stilin e jetës dhe të përshtatim shkathtësitë tona në fushë veprimtaritë të cilave u përkasim”, theksoi ajo.

 

Tutje, sipas saj, UBT ka qenë proaktiv për të siguruar vazhdimësi dhe cilësi në edukim dhe shërbime përkrahëse për studentët tanë. Gjatë periudhës së izolimit Qendrës Këshilluese i janë drejtuar dhjetëra studentë për të shprehur shqetësimet e tyre të natyrës psikologjike dhe të gjithë janë përkrahur në mënyrë profesionale përmes këshillimit online psikologjik.

 

“Dëshiroj të inkurajoj të gjithë studentët tanë që në momentet kur ndjejnë vështirësi për t’ia dalë me kërkesat dhe sfidat me të cilat përballen, të shfrytëzojnë shërbimet përkrahëse të natyrës psikologjike të cilat i ofron Qendra Këshilluese online. Gjatë këshillimit individual respektohet anonimiteti dhe konfidencialiteti i plotë, duke iu përmbajtur rregullave etike të profesionit” u shpreh psikologia.

 

Për të kërkuar termin për seancë individuale të këshillimit psikologjik (psikoterapi), që do të realizohet online përmes e-meeting, kontaktoni me psikologen në email: qendra.këshilluese@ubt-uni.net