Punimi shkencor i profesorit dhe studentëve të UBT-së publikohet në revistën e njohur shkencore
08/10/2019Revista akademike, “European Politics and Society” ka botuar artikullin “The role of personality traits and political trust in people’s attitudes toward EU membership”, si bashkëautorësi e profesorit të Sjelljes Politike në Departamentin e Shkencave Politike të UBT-së, Ridvan Peshkopia dhe dy ish-studentëve të këtij departamenti, Ardit Arifi dhe Gresa Sheqiri.
Ky artikull hedh një hap përpara në dijen ekzistuese për rolin e trajtave të personalitetit në sjelljen politike, në përgjithësi, si dhe në qëndrimet e njerëzve ndaj anëtarësimit të vendit në BE, në veçanti.
Autorët i kanë testuar hipotezat e tyre me një kampion të dhënash të opinionit publik të mbledhura në Shqipëri e Kosovë në vitin 2017 nëpërmjet telefonisë celulare në platformën digjitale iziSsurvey, gjatë punës praktike për lëndët Metoda Kërkimore dhe Sjellje Politike.
Studentët Ardit Arifi dhe Gresa Sheqiri i përdorën mandej ato të dhëna për të shkruar temat e tyre të diplomës të udhëhequra nga profesori Peshkopia, i cili si hap i fundit i procesit i integroi së bashku punimet e studentëve duke forcuar edhe më tej argumentin teorik dhe mprehur analizën statistikore.
“European Politics and Society” botohet nga shtëpia botuese ndërkombëtare Taylor & Francis/Routledge.
Kjo është hera e dytë që diplomat e studentëve të Shkencave Politike botohen në revista akademike ndërkombëtare të indeksuara dhe prestigjioze, ndërsa disa herë ata kanë prezantuar me profesorët e tyre në konferenca ndërkombëtare.
Falë kësaj përvoje, shumë nga studentët e Departamentit të Shkencave Politike në UBT janë të preferuarit e organizatave kërkimore në Kosovë ende pa përfunduar studimet e tyre. Po ashtu, pothuajse çdo vit, studentë të diplomuar nga ky departament vazhdojnë studimet pasuniversitare në universitete anembanë botës.