Punëtoria “Dizajni Minimalist i Mobilieve”: Frymëzim nga Trashëgimia Shqiptare dhe Koncepti Skandinav

13/07/2023

Studioja e Arkitekturës “V ARKITEKTURË STUDIO”, në bashkëpunim me Akademinë Verore të Dizajnit të Integruar në UBT, me koordinatore Laura Ymeri, organizoi me sukses punëtorinë e dizajnit minimalist të mobilieve, një eveniment që sjell frymëzim nga trashëgimia kulturore shqiptare dhe koncepti skandinav.

Punëtoria që u drejtua nga arkitekti Valon Bllaca, një ekspert në dizajnin minimal të mobilieve, synonte të prezantonte dhe të eksploronte këtë koncept të përqendruar në minimalizëm, elegancë dhe funksionalitet. Duke u frymëzuar nga tradita e mobilimit minimalist në shtëpitë tradicionale shqiptare, siç është karrige “Shkami”, punëtoria përpiqej të kombinonte elementet tradicionale shqiptare me dizajnin minimal të mobilieve të prodhuara sot.

Bashkëpunimi i punëtorisë me dy kompani të tjera, “KATAPO” dhe “VATËR1954”, solli një vlerë shtuar në procesin e prodhimit të mobilieve. Kompania “KATAPO”, e themeluar nga Valon Bllaca, Shkelqim Ajazaj dhe Enxhi Babamusta, synonte të krijonte mobilje unike të frymëzuara nga trashëgimia kulturore shqiptare, duke i sjellë ato në tregun modern dhe minimal. Ndërsa kompania “VATËR1954”, e specializuar në përpunimin e drurit dhe e vendosur në Prizren, u angazhua në prodhimin e mobilieve të realizuara në lidhje me këtë punëtori.

Pjesëmarrja në këtë punëtori i ofroi studentëve një eksperiencë të pasur, duke kombinuar traditën dhe kulturën shqiptare me konceptin skandinav të dizajnit minimal të mobilieve. Ata kishin mundësinë të zgjonin kreativitetin dhe të shprehin vizionin e tyre artistik në fushën e dizajnit të mobilieve minimale.