Puna në grupe me studentë, vlerë e shtuar e ANV-së së Arkitekturës

20/07/2018

Po vazhdon punimet intensive ANV-ja e Arkitekturës, që duke i ndarë aktivitetet në grupe, tërhoqi dhjetëra arkitektë të rinj.

Në modulin “Arkitektura dhe Gara” ka vazhduar me ligjërimin e ligjëruesve në UBT, Arbër Sadiki dhe Rron Tresi, të cilët realizuan një diskutim me studentë, ku shqyrtuan propozimet për intervenimet e mundshme për zhvillimin dhe përmirësimin e arkitekturës në vendin tonë.
Po ashtu, u punua edhe rreth idesë se si ta rrisim vëmendjen e gjitha shtresave të shoqërisë, duke filluar nga qytetarët, investitorët, arkitektët dhe institucionet udhëheqëse.

Në modulin “Procesi i dizajnimit”, profesorët, Artan Behluli dhe Betim Vitija, sqaruan procesin e projektimit, materialet, teknikat dhe paraqitjen përmes modeleve në, teksa pjesëmarrësit u njoftuan hap pas hapi me konceptin dhe teknikat e modelimit.
Ndërsa, në pjesën e dytë të ligjëratës, studentët patën mundësi që të praktikojnë në mënyrë grupore njohuritë e fituara në aspektin e modelimit.

Arkitektura Digjitale si modul në vete, u trajtua nga ligjëruesi Faton Spahiu, i cili sqaroi
veglat kryesore të softuerit “Adobe Ilustrator”, që ndihmojnë studentët që prezantimet e tyre finale në lëndët projektuese të përmbajnë më pak pamje teknike dhe më shumë përmbajtje profesionale, grafike dhe artistike.
Studentet zgjodhën që punimet të cilat i kanë përfunduar në lëndët projektuese t’i krijojnë konceptet në formë diagrami, duke përdorur softuerin e Ilustratorit si detyrë finale të modulit.

Moduli “BEM” solli në ANV-në e Arkitekturës ligjëruesin Ferhat Bejtullahu, i cili tregoi mbi përdorimin e softuerit “ArchiCAD” për krijimin e modelit të energjisë së ndërtimit dhe të strategjive pasive, për të përmirësuar performancën energjetike.
Tutje, u trajtua detajisht puna me modelet më të thjeshta të energjisë për ndërtesa, hapat për krijimin e një sistemi të energjisë, vlerat dhe përfitimet nga sistemi BEM, si dhe dallimet ndërmjet sistemit BEM dhe BIM, ku studentët, nën përkujdesjen e profesorit, patën rastin që ta praktikojnë dhe të ushtrojnë detyra me sistemin BEM.

Në kuadër të modulit “Mobile të brendshme në arkitekturë”, profesori Zekë Islamaj trajtuar idenë e përfshirjes së bibliotekës në hapësirat e përbashkëta të fakultetit, më saktësisht trajtuan çështjen e shndërrimit të bufesë së tanishme në një hapësirë moderne dhe atraktive, ku përfshihen hapësira të ndryshme për kalimin e kohës së lirë, duke përfshirë bibliotekën, hapësirat rekreative për kalimin e kohës së lirë, etj.
Studentëve iu kërkua që të praktikojnë këto ide dhe të fillojnë të imagjinojnë zgjidhje rreth mundësisë më të mirë të mundshme duke i praktikuar ato në hollin e fakultetit.


Në pjesën e dytë të këtij moduli, arkitektja e enterierit, Sibel Spat ka ligjëruar në lidhje me enterierin dhe mobilet në arkitekturë, teksa studentëve u tregoi edhe disa punime të ndryshme nga portfolio.

Gjatë kësaj dite, pjesëmarrësve të ANV-së u ligjëroi edhe profesori në UBT, prof. dr Nexhat Balaj, i cili trajtoi temën “Roli i hapësirave të gjelbra urbane dhe arkitektura e peizazhit”, teksa së bashku vizituan edhe Parkun e Qytetit, në Prishtinë, ku janë pyetur për gjendjen e parkut dhe nevojat për përmirësimin e gjendjes së tij.
Gjatë punës disaditore në grupe, studentët do të vazhdojnë të japin disa ide dhe zgjidhje për mundësitë e përmirësimit të gjendjes së këtij parku, përfshirë shtimin e llojeve të drurëve dhe luleve sipas stinëve të vitit, mirëmbajtja e drurëve të parkut dhe shtimi i këndit të lojërave për fëmijë, shtimi i vendeve rekreative, si amfiteatri, etj.

ANV-ja e Arkitekturës po vazhdon punimet edhe sot, me fillim nga ora 09:00.