Psikologia e UBT-së, Vjollca Pllana këshilloi studentët për menaxhimin e stresit në provime
29/01/2020Dhjetëra studentë të të gjitha fakulteteve në UBT, si dhe studentë institucionet tjera të arsimit të lartë në vend, kanë marrë pjesë në ligjëratën interaktive “Menaxhimi i stresit në periudhën e provimeve”, të mbajtur nga psikologia, njëherësh koordinatore në Qendrën Këshilluese në UBT, Vjollca Pllana.
Ligjërata u mbajt në Kampusin Inovativ të UBT-së, në Lipjan, ku u diskutuan gjerësisht faktorët e stresit që paraqiten në periudhën e provimeve, siç janë: faktorët stresues, faktorët mbrojtës të stresit, pasojat e stresit, nevoja e shprehur për përkrahje sociale, rrjetet sociale, vetëvlerësimi e vetëbesimi.
Psikologia Vjolla Pllana paraqiti para pjesëmarrësve disa këshilla praktike që ndihmojnë në krijimin e mekanizmave efektiv që ndihmojnë menaxhimin dhe tejkalimin e stresit, sidomos në fazën përgatitore për provime dhe gjatë performancës në provime.
Ajo në fund këshilloi studentët që të kujdesen për nevojat fizike dhe mendore, gjithnjë duke organizuar kohën dhe duke krijuar kontroll mbi faktorët që mund të qojnë deri tek stresi.