Promovohet libri “The EU as a State-builder in International Affairs: The Case of Kosovo”, nga profesori i UBT-së, Labinot Greiçevci

31/01/2022

“The EU as a State-builder in International Affairs: The Case of Kosovo” është libri më i ri i cili flet mbi rolin e Bashkimit Evropian në procesin e shtetndërtimit ndërkombëtar, hulumtim ky i realizuar nga profesori i Shkencave Politike në UBT, Labinot Greiçevci.

 

Në prani të studentëve dhe profesorëve, është bërë promovimi i këtij libri, i cili është një nga librat e parë gjithëpërfshirës në nivel ndërkombëtar, e i cili paraqet një analizë sistematike, të thelluar dhe krahasuese të rolit të BE-së në shtetndërtimin ndërkombëtar.

 

Dekani i Fakultetit Shkenca Politike në UBT, Dritëro Arifi ka përgëzuar profesorin Greiçevci për punën dhe angazhimin e tij në këtë botim, duke e falënderuar njëkohësisht për një punë të shkëlqyer me një hulumtim për Bashkimin Evropian që sjell fakte nga viti 1999 deri në vitin 2008.

 

Ndërkaq autori i librit, profesori Labinot Greiçevci ka thënë se ky libër ka shqyrtuar specifikisht rastin e Kosovës si dhe rolin e Bashkimit Evropian në lindjen e një shteti, në krahasim me akterët e tjerë ndërkombëtar për një periudhë nëntë vjeçare, duke prezantuar në detaje për të pranishmit historikun dhe metodologjinë e librit.

 

Tashmë, studiuesit dhe studentët e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, politikës evropiane, studimeve për paqen dhe konfliktet, Ballkanit Perëndimor, shtetndërtimit, organizatat ndërkombëtare, si dhe më gjerësisht për marrëdhëniet ndërkombëtare, në sirtarin e tyre do të kenë edhe një libër dhe hulumtim kyç rreth këtyre çështjeve, i cili do të jetë bazë për hulumtime të tjera të këtij lloji.