Promovohet libri “Reflektime të një qytetari arkitekt”, i profesorit të UBT-së, Arbër Sadiki

12/11/2018

Në prani të mysafirëve, studentëve dhe profesorëve, në ambientet e UBT-së, në Prishtinë, është promovuar libri “Reflektime të një qytetari arkitekt”, i profesorit të UBT-së, Arbër Sadiki.

 

Përmes këtij botimi janë pasqyruar reagimet momentale ndaj ngjarjeve të përditshme nga fusha e arkitekturës, urbanizmit, edukimit e kulturës, ngjarje të cilat përshkruhen si refleksione kritike, në aspektin pozitiv e negativ.

 

Autori i librit, Arbër Sadiki ka treguar se ideja e botimit të këtyre teksteve të përmbledhura në një vëllim, ka për synim dy qëllime. Së pari, sipas tij, sjellë në mënyrë kronologjike ngjarje të rëndësishme arkitekturore, ku lexuesve u jepet mundësia që të reflektojnë edhe një herë mbi çështjet e ngritura. Së dyti, autori theksoi se përmes këtij libri u jepet mundësia lexuesve që qëndrimet e shprehura publikisht t’i nënshtrohen edhe gjykimit publik.

 

Tutje, Sadiki tha se një seri reflektimesh paraqiten përmes skicave, karikaturave, vizatimeve e kolazheve, si produkt vizual i qëndrimeve.

Për reflektimet e paraqitura në libër nga arkitekti Arbër Sadiki, debatuan dhe ndanë përvojat bashkërisht profesionistë dhe ekspertë të fushën së Arkitekturës, Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor, të cilët kanë përmendur edhe raste konkrete.