Promovohet libri: “E Drejta e Konkurrencës (Në BE, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut)”, i autorëve Egzone Osmanaj dhe Adnan Jashari
23/02/2022Është promovuar libri: “E Drejta e Konkurrencës (Në BE, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut)”, i autorëve Egzone Osmanaj dhe Adnan Jashari, në praninë e profesorëve, studentëve dhe të pjesëmarrësve të tjerë në UBT.
Dekani i Fakultetit Juridik në UBT, prof.dr. Visar Hoxha, njëherit edhe recensent i librit ka përgëzuar autorët për sjelljen e këtij botimi, i cili sipas tij është i nevojshëm dhe do t’iu ndihmojë jashtëzakonisht shumë gjeneratave të reja të kësaj lëmie.
Profesori i UBT-së, Sevdai Morina, ka thënë se ky libër trajton aspektet kryesore të së drejtës së konkurrencës në Bashkimin Evropian, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, të cilat do të jenë një udhërrëfyes për studentët që duan të ndjekin kërkimin në këtë fushë, përderisa ka falënderuar UBT-në për mundësinë që iu ofron profesorëve në një mjedis të përshtatshëm për hulumtim dhe kërkim.
Profesoresha e UBT-së, Egzone Osmanaj, njëherit edhe bashkautore e librit, ka falënderuar të gjithë kolegët, si dhe të gjithë ata që e kanë përkrahur përgjatë gjithë kësaj pune, duke shtuar se ideja e librit erdhi për faktin se kishte nevojë për një libër të përshtatshëm dhe të thelluar në fushën e së drejtës së konkurrencës.
Libri: “E Drejta e Konkurrencës (Në BE, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut)”, siguron një analizë të qartë të ligjit të konkurrencës në BE, krahason ligjin e konkurrencës të BE-së me ligjin e konkurrencës në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, analizon vendime të rëndësishme në lidhje me konceptin e një marrëveshje të ndaluar dhe analizon evolucionin e kontrollit të përqendrimeve në nivel të BE-së.
Ndër të tjera, libri trajton dhe shqyrton rregullat procedurale, duke përfshirë fillimin e procedurave hetimore kundër ndërmarrjeve, qasjen në dosje, metodologjinë e llogaritjes së masës ndëshkimore, pamundësinë për të paguar dhe lirimin nga masa ndëshkimore.