Projekti “Briefcase Desk” i studentit Elion Bilalli, fitues në Garën Studentore për Dizajn
10/12/2018Studenti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, Erion Bilalli është shpallur fitues i vendit të parë në Garën Studentore për Dizajn, të organizuar nga MDA, në bashkëpunim me Shoqatën e Përpunuesve të Drurit të Kosovës, USAID-in dhe Ambasadën e Suedisë në Kosovë.
Pjesë e kësaj gare kanë qenë mbi 40 të rinj, të cilët me idetë e tyre u munduan që të ofrojnë zgjidhje efiçiente, teksa projekti “BriefcaseDesk” i Elionit, u zgjodh si ideja më inovative në këtë garë.
Për të, fitimi i kësaj gare ka një rëndësi të madhe, pasi thotë se do t’i shërbejë si motivim për zhvillim të mëtutjeshëm në karrierë.
“Synimi im është që produktin me të cilin kam garuar ta zhvilloj edhe më tutje, por synoj të krijoj edhe produkte të reja të të njëjtës natyrë”, u shpreh ai.
Projekti i Elionit parasheh ndërtimin e një “Briefcase Desk”, ose në shqip, një çante me funksion edhe të tavolinës. ‘Briefcase Desk’ është praktike për t’u bartur në formën e çantës, dhe sipas nevojës, të shndërrohet në tavolinë të madhe ose të vogël (të shtratit).
Këmbët e produktit gjatë përdorimit të saj si çantë futen në brendësi të tavolinës, ndërsa shpalosja e tyre bëhet përmes tërheqjes. Për t’u shndërruar në tavolinë të madhe, përsëri tërhiqet këmba e cila është e ndarë në dy pjesë të lidhura me mekanizëm të thjeshtë.
‘Briefcase Desk’ është ndarë në dy foldera, njëri për studim me dy dollapë (për letër dhe laps/ngjyra), si dhe tjetri i destinuar për punë në llaptop varësisht prej nevojës. Ndërkaq, aspekti ergonomik ka qenë bazë e dizajnit me qëllim të vetëm të ofrimit të rehatisë së përkryer tek përdoruesi.
Vlen të theksohet se pjesë e kësaj gare kanë qenë edhe disa studentë të UBT-së, të cilët me sukses të plotë arritën deri në finale të kësaj gare.