Profesori portugez, Jorge de Brito zhvilloi një punëtori rreth hulumtimeve shkencore me studentë dhe profesorë të UBT-së

14/02/2023

Në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, qëndroi për vizitë profesori portugez, Jorge de Brito – João Ramôa Correia, me ç’rast zhvilloi një punëtori rreth botimeve shkencore në revista, si dhe metodave për kërkime shkencore.

“Some Reflections about the Publication of Papers in International Journals”, ishte tema të cilën e trajtoi profesori Jorge de Brito, duke u shtjelluar detaje të pranishmëve rreth llojeve të revistave dhe përzgjedhjes së tyre, planifikimit dhe përgatitjes së dokumenteve, si dhe rekomandimeve për hartimin e dokumenteve.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi e falënderoi për pjesëmarrjen profesorin portugez, Jorge de Brito, duke theksuar nevojën e trajtimit të temave të tilla, që do t’i ndihmonin studentët dhe profesorët për përfitimin e njohurive të reja.

Për punimet shkencore dhe botimin e tyre në revista, profesori Jorge de Brito, kishte disa rekomandime për të pranishmit, ndër të cilat ishin: përfundime interesante dhe të shkurtra, të dobishme por jo spekulative, mos-përsëritja e përshkrimeve të mëparshme të përfshira në seksionet e tjera, identifikimi i qartë i kontributit në punim, si dhe shmangja e referimit të rezultateve që janë të njohura.

Jorge de Brito është profesor në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin e Lisbonës në Portugali. Ai ka mbi 600 botime në revista shkencore, duke përfshirë 11 libra si autor.