Profesori i UBT-së, Skender Kosumi vlerësohet me çmimin e arkitekturës “Gebaut 2022”
27/09/2023Për projektin inovativ të tij smart, me cilësi të lartë dhe stimulues, profesorit të UBT-së, Skender Kosumi, i është dhënë nga qyteti i Vjenës, çmimi i arkitekturës “Gebaut 2022”.
Së bashku me kompaninë HNP Architects, profesori Kosumi, ka projektuar kompleksin e gjerë me përmbajtje banimi e komerciale në Aspern, njohur tashmë si pjesë e qytetit Smart të Vjenës.
Në këtë projekt vihen në pah potencialet urbane në shërbim të një qëndrueshmërie me cilësi të lartë. Pamjet dhe tejdukshmëritë promovojnë orientim, siguri dhe rehati në hapësirën e brendshme gjysmë-publike, me ndihmën e një niveli të dytë të përdheses.
Përmes një ngritjeje të butë me shkallë-rampa, tërhiqet parku i afërt publik i një niveli më privat në brendi të kompleksit, skajet hermetike të së cilës gjallërohen përmes një ndërhyrjeje në mes të objektit e quajtur “dritarja e qytetit”. Dizajni i hyrjeve ofron reflektim urban, butësi pranë parkut dhe lozonjar si një tribunë në liqen.
Kontaktet sociale mbështeten nga dizajni i hapësirës për qëndrim në hapësira që sigurojnë aktivitete krijuese, ndërsa jeta dhe puna gërshetohen me kompleksin komercial. Sistemi ngrohjes dhe ftohjes funksionon me energji autonome gjeotermike dhe asaj solare.
Qyteti i Vjenës u jep çmime projekteve inovative, me cilësi të lartë dhe shembuj stimulues që kontribuojnë gjithashtu në qëndrueshmërinë sociale dhe në mbrojtje të klimës.