Profesori i UBT-së, Lulzim Beqiri ka zhvilluar një vizitë studimore në universitetin “Technische Hochschule Lubeck” në Gjermani

06/12/2022

Dekani i Fakultetit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor në UBT, Lulzim Beqiri ka qëndruar për vizitë në universitetin “Technische Hochschule Lubeck” në Gjermani, me ç’rast ka zhvilluar takime të ndryshme me menaxhmentin e këtij universiteti dhe profesorë të departamentit të arkitekturës.

Profesori Lulzim Beqiri ka zhvilluar takim me përfaqësuesen e zyrës ndërkombëtare, Ulrike Reincke, me të cilën ka diskutuar rreth mundësisë së bashkëpunimit në mobilitetin e studentëve dhe të stafit, shkollat verore, “Blind mobility” mobilitet në distancë me prezencë 5 deri në 30 ditë në semestër, si dhe rreth diplomave dhe projekteve të përbashkëta.

Takimi i profesorit Beqiri me dekanin e fakultetit, Sebastian Fiedler, përgjegjësin e programit të studimeve të planifikimit, Frank Schwartze, përgjegjësin e programit master të studimeve në arkitekturë, Michael Locher, si dhe përfaqësuesen e zyrës ndërkombëtare, Ulrike Reincke, ishte i fokusuar në mundësitë që kanë institucionet për bashkëpunim dhe mundësitë që ofrohen përmes programit Erasmus.

“Technische Hochschule Lubeck” ka shprehur interes për bashkëpunim me UBT-në, sepse në strategjinë e ndërkombëtarizimit të institucionit është me interes për të shkëmbyer studentë, staf dhe projekte të përbashkëta, dhe me këtë rast është nënshkruar marrëveshja Erasmus me “TH Lubeck” (Fakulteti i Arkitekturës) dhe UBT.

Në këto takime, njashtu janë prezantuar programe të “TH Lubeck”, ku është diskutuar rreth mundësive të shkëmbimit të studentëve dhe stafit në mes UBT-së dhe këtij universiteti, mundësitë e angazhimit të profesorëve nga “TH Lubeck” për punëtori me studentët e Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT dhe mundësia e angazhimit për ligjërata modulare.

Përgjatë kësaj vizite, profesori Frank Schwartze, ka zhvilluar një ligjëratë rreth temës: “Building Back Better” me studentët në master në programin Planifikim, teksa vizita e profesorit Lulzim Beqiri ka vazhduar në kampusin e universitetit “TH Lubeck” dhe në pjesën historike të qytetit të Lubeck në Gjermani.