Profesori i UBT-së, Llukman Murtezani, publikon librin “European Integration: Past, Present and Future Perspectives”

31/01/2025

Profesori i UBT-së, Dr. Llukman Murtezani, ka publikuar librin e tij më të ri me titull “European Integration: Past, Present and Future Perspectives”, një studim i thelluar mbi zhvillimin, integrimin dhe të ardhmen e Bashkimit Evropian. Ky botim është pjesë e serisë shkencore “Europe: Past, Present and Future; European Political, Economic, and Security Issues”, duke trajtuar temat më të rëndësishme të politikave evropiane, qeverisjes dhe sfidave me të cilat përballen vendet anëtare dhe ato kandidate për anëtarësim.

Libri përbëhet nga shtatë kapituj që analizojnë çështje kyçe në fushën e zhvillimit ekonomik, politik dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Një vëmendje e veçantë i kushtohet lirisë së lëvizjes, një nga shtyllat kryesore të BE-së, si dhe politikave të gjelbra për qëndrueshmërinë klimatike, duke përfshirë marrëveshjet mes BE-së dhe Ukrainës. Një tjetër aspekt i rëndësishëm është funksionimi i institucioneve evropiane, kriteret e anëtarësimit dhe roli i misioneve të BE-së në vendet kandidate, me fokus në Ballkanin Perëndimor.

Dr. Murtezani, një ekspert i lirë i BE-së dhe anëtar i bordit editorial të revistës shkencore Juridica, ka përdorur burime të shumta për këtë analizë, duke përfshirë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, Marrëveshjen Berlin Plus, kriteret e Kopenhagës dhe Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane. Ky libër është një kontribut i rëndësishëm për të gjithë studiuesit, akademikët dhe profesionistët e fushës, të cilët dëshirojnë të kuptojnë më thellë proceset komplekse të integrimit evropian.