Profesorët nga Ohio Northern University nisin punëtorinë mbi pedagogjinë ligjore

07/11/2018

Profesorët nga Ohio Northern University, Howard Fenton dhe Kevin Hill, kanë nisur punëtorinë treditore për stafin dhe studentët e UBT-së, në lidhje me çështjen e pedagogjisë ligjore.

Një punëtori e tillë po mbahet për herë të parë në një institucion të arsimit të lartë në Kosovë.

 

Dita e parë e punëtorisë nisi me ligjëratën e profesorit Kevin Hill, i cili trajtoi temën: “Teknikat dhe sfidat në të mësuarit dhe të nxënit interaktiv”, ligjërimi për të cilën u parapri nga ndjekja e disa videove ilustruese mbi prezantimin sokratik dhe qasjen ndaj problemeve.

 

Pas ndjekjes së këtyre videove, profesori Hill mbajti një ushtrim interaktiv mësimor mbi problemin e shfaqur me rastin e kujdestarisë për fëmijët ndërkombëtarë, me ç’rast edhe kërkoi në mënyrë të vazhdueshme mendimin e pjesëmarrësve mbi sfidat e Kosovës për natyrën e problemeve të tilla dhe zgjidhjen e kësaj çështjeje në bazë të ligjeve ekzistuese të vendit tonë.

 

Profesori Kevin Hill tregoi se në universitetin e tyre, studentët nuk mësojnë vetëm pjesën teorike të materialeve të dhëna, por edhe mësohen që të njëjtin material ta shfrytëzojnë edhe në praktikë dhe që përmes tyre të bëjnë zgjidhjen e problemeve ligjore për të cilat flitet në materiale.

“Është detyrë e profesorit që të përcaktojë se cila është teknika e duhur që duhet të përdoret për klasën, lëndën dhe temën e caktuar, si dhe që përshtatet me personalitetin e profesorit”, tha ai.

 

Në pjesën tjetër të ditës së parë të punëtorisë, profesorët Hill dhe Fenton ligjëruan mbi teknikat dhe objektivat e të mësuarit interaktiv. Konkretisht, ata trajtuan çështjen e të zhvilluarit të aftësive të të menduarit kritik përmes qasjeve të ndryshme të të mësuarit, dialogut sokratik, prezantimit, teknologjisë së përdorur dhe përcaktimit të teknikave të shfrytëzuara. Ndërkaq, në fund u trajtuan edhe mënyrat e duhura të motivimit të studentëve.

 

Punëtoria do të zhvillojë punimet edhe gjatë ditës së nesërme, teksa të njëjtës do i bashkëngjiten edhe studentët.