Profesorët e UBT-së theksojnë rëndësinë e ndjekjes penale të krimeve të luftës në tryezën për Juridiksionin Universal

08/10/2024

Nën organizimin e Qendrës Kosovare për Diplomaci, u zhvillua një tryezë diskutimi mbi promovimin e juridiksionit universal për krimet e luftës në hapësirat e ish-Jugosllavisë, në kuadër të projektit NO-OBLIVION.

Ky projekt udhëhiqet nga European Association of Social Innovation (Rumani) në bashkëpunim me partnerë të ndryshëm ndërkombëtarë, përfshirë IPS Innovative Prison Systems (Portugali), Victim Support Europe (Belgjikë), Camino (Gjermani), Documenta (Kroaci), Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Qendrën për Studime të Sigurisë (Bosnje dhe Hercegovinë), si dhe Qendrën Kosovare për Diplomaci (Kosovë).

Në këtë tryezë, profesorët e UBT-së, Prof. Avni H. Alidemaj nga Departamenti i Shkencave Politike dhe Prof. Alban Maliqi nga Departamenti i Studimeve të Sigurisë, adresuan çështjen e personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë, bazën ligjore ndërkombëtare për ndjekjen e kryesve të krimeve të luftës, si dhe ndikimin e zbatimit të mekanizmave të drejtësisë tranzicionale në ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme.

Ky diskutim nënvizon rëndësinë e juridiksionit universal dhe ndjekjes penale ndërkombëtare për krimet e luftës, si një mjet për të siguruar drejtësi për viktimat dhe për të kontribuar në proceset e pajtimit dhe paqes në rajon.