Profesorët e UBT-së, pjesëmarrës në projektin ndërkombëtar “Savings Game” për edukimin financiar
14/10/2024Profesorët e Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi të UBT-së përfaqësuan institucionin në projektin “Savings Game”, organizuar nga Deutsche Sparkassenstiftung für International Kooperation (DSIK) në Tiranë, Shqipëri.
Në kuadër të këtij projekti, i financuar nga BMZ (Ministria e Ekonomisë Gjermane), profesorët Amir Imeri, Fisnik Bytyqi, Mirjeta Domniku dhe Hamëz Rama e përfaqësuan UBT-në gjatë periudhës 23-27 Shtator. Në fund të projektit, ata u çertifikuan si Trajnues, me synimin për të përmirësuar metodat e mësimdhënies, duke trajnuar profesorët në metodikën e “Të mësojmë duke u argëtuar”.
Ky trajnim ofroi mësime të vlefshme duke zhvilluar metoda dhe aftësi të reja për përmirësimin e njohurive financiare, shërbimeve dhe produkteve. Mësimet e trajtuara në jetën reale përfshijnë: vendosjen e qëllimeve (rëndësinë e përcaktimit të qëllimeve specifike financiare, qoftë për blerje afatshkurtra apo afatgjata), kënaqësinë e vonuar (përfitimet e pritjes për të bërë blerje, duke çuar në vendime më të mira financiare), aftësitë buxhetore (menaxhimi i të ardhurave dhe shpenzimeve, duke bërë zgjedhje të informuara për shpenzimet dhe kursimet), interesin dhe kursimin (duke demonstruar sesi kursimet mund të rriten me kalimin e kohës), menaxhimin e rrezikut (rëndësia e diversifikimit të shpenzimeve dhe të kuptuarit e rreziqeve financiare) si dhe arsimimin financiar (rritja e njohurive mbi parimet bazë financiare, duke nxitur një qasje më të informuar për menaxhimin e parave).
Ky projekt konsiderohet i rëndësishëm sepse studentët e UBT-së do të kenë mundësinë të eksperimentojnë me një metodë të re që synon përmirësimin e aftësive personale të menaxhimit të parave. Kjo kurrikulë do t’u sigurojë studentëve aftësitë dhe informacionin që u nevojitet për të menaxhuar me efikasitet financat e tyre.
Informacioni dhe njohuritë e arritura nga ky trajnim produktiv do të përdoren në hapësirat e universitetit me studentët e UBT-së, duke rrënjosur një qëndrim të ri të mësimdhënies me efikasitet të madh./UBTNews/