Profesorët e UBT-së morën pjesë në aktivitete dyditore në Shqipëri në kuadër të projektit dypalësh Kosovë – Shqipëri

15/03/2023

 

Profesorët nga Departamenti i Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologjisë dhe Agrikulturës në kuadër të projektit dypalësh Kosovë – Shqipëri me qëllim “Vlerësimi i Indikatorëve të Monitorimit të Cilësisë së Ujërave të Shkarkimit që Gjenerohen nga Industria Agro – Ushqimore”, projekt ky i financuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë dhe Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI) morën pjesë në aktivitete dyditore në Shqipëri.

Me këtë rast grupi i UBT-së i përbërë nga dekani i Fakultetit Shkenca të Ushqimit dhe Bioteknologjisë dhe Agrikulturës, Fidan Feka, profesoresha njëherit koordinatorja e projektit për Kosovë, Emine Daci – Zejnullahu dhe profesoresha Luljeta Ajdini, vizituan industri ushqimore si industri të përpunimit të mishit, vajit të ullirit dhe kompaninë “Cola – Cola Bottling Shqipëria”.

Përgjatë kësaj vizite, në ambientet e Universitetit Bujqësor të Tiranës u organizua punëtoria e dytë në kuadër të projektit dypalësh Shqipëri – Kosovë, ku të pranishëm ishin edhe studentët e ciklit të dytë master profesional “Analizat e Ushqimit”, teksa fokusi i kësaj punëtorie ishte prezantimi i rezultateve të arritura në vitin e parë të implementimit të projektit dhe rëndësia në menaxhimin e mbetjeve industria ushqimore përmes zbatimit të praktikave të mira të prodhimit.

Gjatë këtij aktiviteti studentët shfaqën interes në lidhje me “Valorizimin e mbetjeve të gjeneruara nga industria ushqimore dhe rëndësinë e aplikimit të tyre si përbërës funksional në produkte ushqimore”, si dhe u diskutuan edhe format konkrete të bashkëpunimit për aktivitet në të ardhmen si në mes dy institucioneve arsimore në pjesën akademike dhe në mes të studentëve.