Profesoresha e UBT-së, dr Caroline Jäger-Klein zgjedhet presidente e ICOMOS Austria
25/04/2018Profesoresha e angazhuar në UBT, prof. dr Caroline Jäger-Klein, është zgjedhur presidente e Këshillin Ndërkombëtar për Monumente dhe Vende e Austrisë (ICOMOS Austria) nga Asambleja e Përgjithshme e të gjithë anëtarëve, duke u bërë kështu edhe presidentja e parë grua që e merr drejtimin e një organizate të tillë.
Misioni i saj është që të intensifikojë komunikimin ndërmjet të gjithë aktorëve të përfshirë në çështjet e trashëgimisë kulturore në përgjithësi, për të futur çështjet më të efektshme në fushën e trashëgimisë botërore brenda ligjit dhe instrumenteve të planifikimit hapësinor të Austrisë dhe për të krijuar një sistem të dhënies së praktikave më të mira për shembuj pozitivë.
Si organ këshillues i UNESCO-s, Jäger-Klein potencoi rëndësinë e anëtarësimit në këtë organizatë, pasi vetëm shtetet anëtare të UNESCO-s, mund të formojnë Komitetet Kombëtare përbrenda ICOMOS-it.
“Sa më shpejt që Kosova të hyjë me sukses në UNESCO, vendi do të jetë plotësisht përgjegjës për të monitoruar vendet e trashëgimisë botërore të UNESCO-s në Kosovë, përfshirë Manastirin Mesjeta të Deçanit, Graçanicës dhe Pejës, për Kishën Ljviska në Prizren dhe shumë monumente e vende të tjera që janë pasuri botërore kulturore dhe arkitekturore”, tregoi ajo.
Edhe pse Kosova momentalisht ka 40 ekspertë të regjistruar në ICOMOS, të gatshëm për të marrë funksione dhe për të krijuar Komitetin Kombëtar të vendit, megjithatë, për shkak të mosanëtarësimit të Kosovës në UNESCO, një komitet i tillë nuk mund të krijohet ende. E këtë funksion aktualisht e mbajnë edhe disa ish-studentë të UBT-së, ekspertë të fushës së trashëgimisë kulturore.
Për shkak të kësaj, që nga anëtarësimi, Jäger-Klein është munduar t’i japë zë edhe çështjes së Kosovës dhe një pjesë e madhe e asaj çfarë ligjëron për studentët e nivelit master në fakultetin e Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, në UBT, bazohet në përfitimin e njohurive mbi funksionin dhe rolin e ICOMOS-it.
Krahas kësaj, në vitin 2013, ajo drejtoi të ashtuquajturin Takim Rajonal të Përfaqësuesve të ICOMOS-it në Evropën Juglindore, në Vjenë, ku kishte ftuar dy akademikë të rinj nga Kosova, ish-studentë të UBT dhe Universitetit Teknik të Vjenës, Kushtrim Riza dhe Mirushe Ejupi, të cilët janë njohës të mirë të kësaj fushe.
Ajo çfarë Jäger-Klein do të bëjë në vazhdim si presidente e ICOMOS Austria, është të organizojë seminare të përbashkëta monitorimi mes disa vendeve, për të edukuar vëzhguesit e mundshëm të Kosovës, nën ekspertizën dhe mbikëqyrjen ndërkombëtare, si dhe do të organizojë takime më të rregullta të Grupit Evropian Juglindor, në kuadër të kornizës së konferencës vjetore të UBT-së, që mbahet në Durrës të Shqipërisë.
Organizata ICOMOS u themelua në vitin 1965 dhe aktualisht numëron rreth 10 000 anëtarë nga gati 200 shtete, të cilët shërbejnë si trup këshillues për UNESCO.
Prandaj, kjo organizatë është platforma më efektive e shkëmbimit të njohurive, ideve dhe përvojës në fushën e trashëgimisë kulturore dhe arkitekturore.