Profesoresha e Fakultetit Dizajn i Integruar, Laura Ymeri, prezantoi ekspozitën e parë personale “Body Talk”

25/05/2022

Në ambientet e “Paper Gallery” në Prishtinë, është mbajtur ekspozita personale e profesoreshës së Fakultetit Dizajn i Integruar në UBT, Laura Ymerit, e titulluar “Body Talk”, kurator i së cilës ishte profesori i Fakultetit Art dhe Media Digjitale në UBT, Burim Berisha.

 

Përmes vizatimit, performancës, përdorimit të dritës, interaksionit, aksionit, efekteve të zërit, profesoresha Ymeri, ka udhëzuar vizitorët dhe pjesëmarrësit e kësaj ekspozite për të lënë gjurmë në veprën e saj, duke krijuar kështu një vepër unike të vizualizuar dhe pasqyruar në muret e galerisë.

 

Qëllimi i kësaj ekspozite ishte që përmes performancës së profesoreshës Ymeri të ngacmohet marrëdhënia mes njerëzve, në veçanti aktiviteti i përditshëm i tyre që përshpejton efektet e entropisë.

 

Ekspozita tërhoqi vëmendjen e shumë personave, përfshirë edhe vëmendjen e studentëve të UBT-së, të cilët e vlerësuan punën dhe angazhimin e profesoreshës Laura Ymerit, për të sjellë në tregun artistik në Kosovë ekspozita të tilla.

 

UBT mbështet idetë dhe punën e secilit profesorë dhe mbi të gjitha të studentëve, të cilët promovojnë vlerat artistike dhe ngjallin interesin e publikut për fushat e ndryshme të jetës, përfshirë atë të artit dhe të kulturës.