Profesor Rifat Latifi ligjëron për transformimin e sistemit shëndetësor në vendet pas konfliktit para studentëve të UBT-së

15/05/2024

Kryetari i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, Profesor Rifat Latifi, mbajti një ligjëratë tematike para studentëve të UBT-së, me temën “Transformimi i sistemit shëndetësor në vendet pas konfliktit”.

Profesori Rifat Latifi gjithashtu takoi Rektorin e UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, me të cilin diskutuan për zhvillimin e shëndetësisë në Kosovë dhe kontributin e UBT-së në nxjerrjen e profesionistëve të rinj.

Gjatë ligjëratës së tij, Profesor Latifi trajtoi shumë çështje të rëndësishme, duke theksuar se transformimi i sistemit shëndetësor në vendet në zhvillim dhe në ato pas konfliktit është një proces kompleks dhe multidimensional.

Ai diskutoi ndikimin e konflikteve në sistemin e kujdesit shëndetësor, duke përmendur shkatërrimin e infrastrukturës shëndetësore, ndërprerjen e shërbimeve dhe largimin e profesionistëve shëndetësorë si disa nga pasojat kryesore.

Si themelues i Telemjekësisë, fillimisht në Kosovë dhe më pas në Shqipëri dhe Afrikë, Profesor Latifi theksoi rëndësinë e këtij faktori në transformimin e kujdesit shëndetësor. Ai vuri në dukje se telemjekësia dhe e-shëndeti mund të luajnë një rol të madh në përmirësimin e kujdesit shëndetësor në vendet pas konfliktit, duke lehtësuar qasjen në shërbime shëndetësore dhe duke ndihmuar në ruajtjen e kapaciteteve profesionale.