Prodekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë, Visar Krelani përfaqëson UBT-në në takimin me ministrin Shala
01/03/2019Me ftesë të ministrit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, prodekani i Fakultetit Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë, prof.dr Visar Krelani, ka përfaqësuar UBT-në në takimin informues për legjislacionin e produkteve të ndërtimit dhe marrëveshjen e nënshkruar të Stabilizim-Asociimit.
Në këtë takim palët janë njoftuar lidhur me krijimin e mundësive që prodhimet e Republikës së Kosovës, pa ndonjë pengesë mund të plasohen edhe në tregun Evropian dhe më gjerë.
Para të pranishmëve, Krelani ka shprehur gatishmërinë e institucionit dhe ka potencuar se UBT do të kontribuojë në dhënien e ekspertizave profesionale nga njohësit ose ekspertët e çështjes. Ai ka thënë se institucioni është i gatshëm të ndihmojë në këtë aspekt, duke bashkëpunuar dhe bërë vlerësime për prodhuesit ose ndërtuesit vendor.
Ndërkohë, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, theksoi se ministria që ai drejton është përkushtuar dhe mbështet akademinë dhe industrinë e ndwrtimit, në hulumtimin dhe njohjen e tregut, në dizajnimin dhe mbështetjen e prodhuesve për certifikimin e produkteve të tyre me skema të veçanta të subvencioneve përmes KIESA-s.
Në këtë mënyrë, minstri Shala tha se do të rritet edhe konkurrenca për t’iu qasur tregjeve të jashtme që ta përmirësojmë bilancin tregtar.
Kosova ka bërë një hap përpara me miratimin e Ligjit për Produktet e Ndërtimit, i cili u miratua në nëntor të vitit 2018, e që së shpejti do të hyjë në fuqi, ku do të rregullohen shtyllat e infrastrukturës së cilësisë në fushën e ndërtimit.