Përfaqësuesit e UBT-së, pjesëmarrës në Forumin Ndërkombëtar për Arkitekturë dhe Urbanizëm “IFAU”

21/12/2017

Një delegacion i UBT-së, i përbërë nga prof. dr Binak Beqaj dhe prof. dr Visar Krelani, kanë marrë pjesë në Forumin e Parë Ndërkombëtar për Arkitekturë dhe Urbanizëm, të organizuar nga Universiteti Politeknik i Tiranës.

 

Në kuadër të forumit është organizuar edhe konferenca e titulluar: “Qytetet në Tranzicion”, e cila mblodhi hulumtues e studiues që diskutuan për risitë, trendët dhe sfidat që hasen në praktikë.

 

Në këtë konferencë është prezantuar hulumtimi shkencor “Ekonomia cirkulare si një ndikues imperativ për një zhvillim të qëndrueshëm urban, të derivuar nga industria konstruktive – Rasti i studimit, Prishtina”, që u hulumtua, përgatit nga ligjëruesit në UBT, prof. dr Binak Beqaj dhe Blerta Vula-Rizvanolli.

 

Ky hulumtim është prezantuar nga profesor Binak Beqaj, teksa në punim janë shqyrtuar metodat praktike të orientuara drejt ofrimit të zgjidhjes për zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit.

 

Pas konferencës, delegacioni i UBT-së është pritur në takim nga dekani i Fakultetit të Arkitekturës, Florian Nepravishta, dhe nga ai i Ndërtimtarisë, Gëzim Hasko, në Universitetin Politeknik të Tiranës, me të cilët kanë biseduar për mundësinë e bashkëpunimit për shkëmbim të studentëve dhe të stafit, si dhe për realizimin e projekteve të përbashkëta në këto fusha.

 

Njëherësh, profesori i UBT-së, Binak Beqaj është takuar edhe me kryetarin e Shoqatës se Arkitektëve të Shqipërisë, Armand Vokshi, për të shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit mes të dyja palëve.

 

Në mesin e shumë institucioneve të tjera që ishin mbështetëse në organizimin e Forumit Ndërkombëtar për Arkitekturë dhe Urbanizëm “IFAU”, në Tiranë, institucion përkrahës ishte edhe UBT, përmes dërgimit të ekspertëve dhe hulumtimeve të tyre, me qëllim të dhënies së ekspertizave profesionale në fushën e arkitekturës dhe urbanistikës.