Përfaqësuesit e “Signal Uniqa Group Austria” bashkëbisedojnë me studentët e UBT-së për tregun e sigurimeve
08/05/2018Përfaqësuesit e kompanisë së sigurimeve “Signal Uniqa Group Austria”, konkretisht themeluesi i saj, Avni Ponari dhe drejtori ekzekutiv, Mal Berisha, kanë bashkëbiseduar me stafin dhe studentët e UBT-së, gjatë tryezës së diskutimit të titulluar: “Historiku dhe potenciali i sigurimeve”.
Rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi, tha se shtimi i njohurive mbi industrinë e sigurimeve është tejet e rëndësishme, pasi në këtë formë njerëzit arrijnë të vetëdijesohen për tregun dhe vler+n e sigurimeve, ndërkaq studentët mësojnë se sa e gjerë është kjo industri dhe se sa ka kapacitet për të krijuar vende të reja pune.
“Mesazhin e kemi dhënë që ka vende pune dhe ne e kemi marrë përgjegjësinë që të përgatisim kuadro që do të bëhen pjesë e kompanive të sigurimeve dhe kompanive të tjera”, theksoi Hajrizi.
Fjalimi i themeluesit të Sigal Uniqa Group Austria, Avni Ponari, u fokusua tek niveli i zhvillimit të kësaj industrie në Kosovë, tek rëndësia e të siguruarit të jetës dhe mjeteve, si dhe tek historiku i lindjes së sigurimeve financiare.
Ponari tha se pesha e sigurimeve financiare është një proces që nuk duhet të evitohet, pasi bota dhe njerëzit përballen në baza ditore me fatkeqësi të shumta, për rikuperimin e të cilave nevojiten të shuma të konsiderueshme parash.
“Nuk ekziston asgjë në botë që është jashtë sigurimeve sepse bota është e ndërtuar në mënyrë të tillë dhe ata që kanë krijuar mjete materiale janë të interesuar t’i mbrojnë. Gjithçka që është krijuar nga njeriu është e siguruar dhe duhet të jetë e siguruar”, konstatoi ai, teksa tregoi se e njëjta nuk mund të vlejë edhe për Kosovën.
“Në Kosovë çështja e sigurimeve është shumë pak e realizuar. Shumica dërrmuese e kosovarëve nuk e kanë të siguruar as jetën e as shtëpitë. Kosovarët sigurojnë vetëm makinat, pasi janë të obliguar me ligj”.
Tregu aktual i sigurimeve në Kosovë arrin shifrën 81 milionë euro, teksa densiteti i sigurimeve është 44 euro për frymë, e kjo shifër e ulët në krahasim me numrin e banorëve, sipas Ponarit, rrjedh nga disa faktorë.
“Mungesa e kulturës, varfëria, papunësia dhe mungesa e ekspertëve të sigurimeve, janë vetëm disa nga shkaqet që ndikojnë në numrin e ulët të njerëzve që kanë sigurime”, potencoi ai.
Drejtori ekzekutiv i “Sigal Uniqa Group Austria”, Mal Berisha, i motivoi studentët, duke i shtyrë ata të aplikojnë për punë në kompaninë që ai e udhëheq, por që, sipas tij, paraprakisht duhet të mësojnë dhe të guxojnë të provojnë gjëra të reja.
Kompania “Sigal Uniqa Group Austria” është themeluar në vitin 1999, ndërkaq në Kosovë që prej vitit 2002 udhëheq tregun me 30%.
Para gati 20 vitesh, kjo kompani kishte nisur punën me 5 punëtorë, kurse sot numëron 1195 punonjës dhe agjentë.