Petrit Mehmeti: Përvojat e fituara në UBT më kanë shërbyer shumë në ngritjen time profesionale

06/05/2015

duke i vazhduar studimet master në Fakultetin për Politika Publike dhe Menaxhim, po në UBT. Në një bisedë për “UBT Alumni”, ai flet për studimet, punën dhe përvojën e tij në UBT.

 

UBT Alumni: Si keni vendosur të studioni në UBT?

Mehmeti: Në vitin 1998 kam qenë i regjistruar në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës ku pata përfunduar edhe vitin e parë, por për shkak të gjendjes së vështirë që mbretëronte asokohe në Kosovë dhe më pastaj fillimit të luftës, mu desh t’i ndërpres studimet. Pas luftës u punësova në Aeroport dhe për shkak të obligimeve të shumta që kisha atje nuk m’u dha mundësia që t’i vazhdoja studimet e lëna. Tek në vitin 2011 m’u krijuan kushtet t’i vazhdoja studimet, por për shkak të burokracisë që është e instaluar në Universitetin Publik të Prishtinës vendosa t’i tërheq dokumentet nga atje dhe me rekomandimin e disa shokëve vendosa që të regjistrohem në UBT, ku edhe i anulova provimet e dhëna më parë dhe fillova prapë nga fillimi. Rekomandimet e shokëve se UBT është një institucion serioz, ku aplikon kritere dhe ka një staf të kualifikuar si ndërkombëtarë ashtu edhe vendas, ishin shtytja kryesore që të regjistrohem në këtë institucion të lartë të arsimit.  

UBT Alumni: Cilat kanë qenë lëndët e juaja të preferuara?

Mehmeti: Është vështirë të veçoj ndonjë lëndë sepse secila ka pasur rëndësinë e saj në formësimin dhe përgatitjen profesionale, por mund të them që lëndët që më kanë lënë më shumë mbresa janë lënda e Makroekonomisë, Kontabiliteti Menaxherial, Tregtia Ndërkombëtare, Menaxhmenti Financiar.

UBT Alumni: Sa keni përfituar nga programet e studimit në UBT?

Mehmeti: Studimi në këtë institucion i lartë i arsimit ka qenë një eksperiencë e këndshme por edhe sfiduese. Së pari ky institucion të lartë të arsimit u ofron studentëve shërbime dhe infrastrukturë të nevojshme që lidhen drejtpërdrejt me sigurimin e cilësisë së studimeve, të jetës sociale, duke filluar që nga përkujdesja dhe mbikëqyrja akademike, asistenca e personelit administrativ, vënia në dispozicion e një infrastrukture bashkëkohore si biblioteka, kompjuterë etj. Gjithashtu mësimdhënia në këtë institucion të lartë të arsimit përqendrohet në njohuritë më të mira bashkëkohore, në programe e tekste mësimore moderne, në metoda të mësimdhënies cilësore, që e bëjnë studentin pjesë aktive të procesit mësimor.

Ligjërimi i shumë profesorëve eminentë nga bota e bënë këtë institucion të lartë të arsimit të veçantë dhe gjithashtu dëshmon seriozitetin dhe përkushtimin në përgatitjen e kuadrove për të qenë në hap me zhvillimet e përgjithshme globale. Qasja në përvojat e institucion të lartë të arsimit gjegjësisht përvojat e profesorëve të vendeve të ndryshme paraqet një vlerë të shtuar për studentët dhe përfitimi nga këto përvoja ka qenë shumë i rëndësishëm për mua. Bartja e praktikave nga vende të ndryshme të botës ka ndikuar në ngritjen profesionale dhe përgatitjen për t’u përgjigjur kërkesave të përditshme. Kur kihet parasysh se të gjithë këta profesorë vijnë nga vende të ndryshme me një zhvillim të hovshëm ekonomiko-teknologjik, praktikat e tyre kanë një rol të veçantë për ne në zhvillimin e resurseve njerëzore, teknologjike etj.

UBT Alumni: Ju keni treguar rezultate shumë të mira gjatë studimeve. Si e keni arritur këtë?

Mehmeti: Një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar në arritjen e rezultateve të mia ka qenë padyshim puna e madhe, mësimdhënia cilësore dhe mbështetja e shumë profesorëve që duke ndarë praktikat profesionale me studentë kanë qenë frymëzim për t’u angazhuar më tepër gjatë studimeve. Gjithashtu edhe serioziteti, angazhimi personal dhe përkrahja familjare kanë ndikuar në finalizimin me sukses të këtyre studimeve.

UBT Alumni: A jeni duke punuar pas studimeve dhe ku?

Mehmeti: Tash e 15 vite punoj në Agjencinë e Shërbimeve të Navigimit Ajror në Aeroportin e Prishtinës si parashikues meteorologjik. Në vitin 2000 kam përfunduar trajnimin në “Met Office College” të Britanisë së Madhe për vrojtues meteorologjik, ndërsa nga viti 2002-2004 shkollimin në të njëjtin kolegj për parashikues aeronautik meteorologjik. Gjithashtu, kam përfunduar edhe shumë trajnime të tjera në shtete të ndryshme të Evropës që ndërlidhen me aviacion, por vlen të ceken një varg trajnimesh në “Eurocontol” të Luksemburgut që kanë të bëjnë me sigurinë e fluturimeve dhe hetimin e incidenteve dhe ndodhive ku kam marrë edhe titullin ekspert i sigurisë dhe hetues i incidenteve dhe aksidenteve aeronautike.

Të jesh pjesë e një kompanie me rëndësi të veçantë përveç punëve të rëndomta ditore përmban në vete edhe sfida tjera. Përvojat e fituara nga UBT përgjatë gjithë studimeve më kanë shërbyer shumë në ngritjen time profesionale dhe në vazhdimësi këto përvoja tentoj ti praktikoj edhe në vendin ku punoj, konkretisht në menaxhimin e projekteve, burimeve njerëzore dhe në përgjithësi menaxhimin e punëve ditore.

UBT Alumni: A jeni duke vazhduar studimet?

Mehmeti: Aktualisht jam duke i vazhduar studimet master në Fakultetin për Politika Publike dhe Menaxhim në UBT. Meqë punoj në një institucion publik dhe pasi që është program i ri në Kosovë, më ka ngjall kureshtje që të studioj edhe këtë fushë. Problematikat e menaxhimit të politikave publike janë fusha jo shumë të adresuara dhe të eksploruara në vendin tonë. Me përfitimet nga këto studime master shpresoj që do të jap kontribut shtesë në vendin ku punoj dhe si rrjedhojë do të reflektojë edhe në ngritjen e efikasitet dhe efiçiencës në detyrat e përditshme.

UBT Alumni: Cila është porosia Juaj për studentët e UBT-së?

Mehmeti: Porosia për studentët e UBT-së është që të angazhohen maksimalisht dhe të shfrytëzojnë mundësitë e mëdha që u ofron ky institucion të lartë të arsimit. Sot jetojmë në një epokë të zhvillimeve të mëdha teknologjike e shkencore dhe ku kemi një konkurrencë të jashtëzakonshme në tregun e punës, andaj duhet t’i shfrytëzojnë të gjitha këto mundësi që u ofrohen në mënyrë që të jenë sa më të përgatitur për t’u përballur me këto sfida.

UBT Alumni: Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

 

Mehmeti: Aktualisht nuk kam ndonjë plan specifik. Momentalisht prioritet i imi është përfundimi me sukses i studimeve master.