Përmbyllet edicioni i sivjetshëm i Akademisë Ndërkombëtare Verore të Inxhinierisë së Ndërtimit

18/07/2022

Është përmbyllur suksesshëm edicioni i sivjetshëm i Akademisë Ndërkombëtare Verore të Fakultetit Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë në UBT, të organizuar në kuadër të “Global UBT Fest 2022”.

 

Ky edicion u karakterizua me aktivitete të ndryshme, si: ligjërata, punëtori, vizita studimore, forume dhe samite, të cilat kishin për qëllim aktivizimin e studentëve dhe pjesëmarrësve të tjerë, për të diskutuar rreth temës: “Nga ndërtimtaria tradicionale në atë moderne”.

 

Në kuadër të këtyre aktiviteteve, u realizua edhe një vizitë studimore në qytetin historik të Prizrenit dhe në qytetin e Pejës, si dhe u zhvillua një vizitë studimore në Fabrikat e Prodhimit dhe Përpunimit të Gurit në Kosovë, për të parë nga afër infrastrukturën dhe pjesën e ndërtimit të objekteve, të cilat janë pjesë e trashëgimisë kulturore dhe artistike të vendit.

 

Në përmbyllje të kësaj akademia, kishte ligjërata të tjera nga ekspertë dhe profesionistë të fushës së ndërtimtarisë, si: profesori Ylber Limani, i cili ligjëroi rreth temës: “Tendencat e Kërkimit në Inxhinieri”, Nezehate Hakaj nga Ministria e Mjedisit, e cila foli rreth cilësisë së ajrit dhe ndryshimeve klimatike, si dhe inxhinierët: Ibush Luzha dhe Bujar Aliu, diskutuan rreth temës: “Prodhimi i çimentos si produkt bazë për prodhimin e betonit”.

 

Ndër të tjera, studentët e Fakultetit Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë në UBT, prezantuan punimet e tyre, të cilët i kanë zhvilluar përgjatë punës praktike dhe studimeve,  teksa u ndanë mirënjohje dhe certifikata për pjesëmarrësit, të cilët kontribuuan në realizimin e këtij edicioni të Akademisë Ndërkombëtare Verore të Ndërtimtarisë.