Përmbyllet Akademia Verore për Ndërmarrësi dhe Inovacion

19/07/2024

Me ngjarje dhe aktivitete të shumta u përmbyll Akademia Verore për Ndërmarrësi dhe Inovacion në kuadër të Global UBT Fest nga Fakulteti për Menaxhment Biznes dhe Ekonomi, ku ngjarje e rëndësishme ishte simulimi i Micro Business Game.

Loja Micro Business ofroi një modul shumë interaktiv për të gjithë pjesëmarrësit që dëshirojnë të mësojnë në mënyrë praktike se si të rrisin suksesin dhe qëndrueshmërinë e ndërmarrjeve të reja dhe të vogla. Qëllimi kryesor i lojës Micro Business ishte të tregojë se si të menaxhohet efektivisht një biznes i vogël, duke përdorur një metodë të bazuar në përvojë.

Ndërsa, në anën tjetër, nga stafi akademik Prof. Enver Krasniqi ligjëroi rreth udhëheqjes, menaxhimit si dhe qeverisjes, ku për më tepër sqaroi se udhëheqja efektive ka të bëjë me vendosjen e një vizioni, si dhe motivimin e anëtarëve të ekipit, ndërsa qeverisja ka të bëjë me sigurimin që operacionet e organizatës duhet të përputhen me objektivat e saj.

Ndërsa, Prof. Gonxhe Beqiri ofroi një ligjëratë mjaft tematike rreth aplikimit të AI në Marketing. Ajo theksoi se (AI) po revolucionarizon sektorin e marketingut duke u ofruar bizneseve mënyra të reja për të arritur dhe angazhuar klientët e tyre, si dhe duke u mundësuar atyre të krijojnë strategji marketingu më të personalizuara dhe efektive.