Përgatitja profesionale e studentëve të kontabilitetit përmes aktiviteteve praktike në UBT
22/01/2025Në kuadër të ligjëratës në lëndën “Hyrje në Kontabilitet Financiar”, në kuadër të Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT, e udhëhequr nga ligjëruesja e lëndës Prof. Fidane Spahija Gjikolli, u zhvillua një aktivitet i veçantë që ofroi studentëve një mundësi të shkëlqyer për të lidhur teorinë me praktiken. Aktiviteti kishte si qëllim t’i ofronte studentëve një përvojë të thelluar dhe ndërvepruese, duke iu mundësuar atyre të kuptojnë më mirë proceset reale të kontabilitetit dhe të përgatiten për kërkesat e tregut të punës.
I ftuar në këtë aktivitet ishte Ismail Qemali, kontabilist i njohur i firmës “Kamila” në Prizren, i cili ndau me studentët përvojën e tij të pasur profesionale. Ai pati mundësinë të demonstrojë përdorimin e softuerit të kontabilitetit Logo, një mjet i përdorur gjerësisht në industrinë e kontabilitetit, i cili mundëson një përpunim të shpejtë dhe efikas të të dhënave financiare. Softueri u shpjegua në detaje, duke i ndihmuar studentët të kuptojnë aplikimin praktik të njohurive teorike që ata kishin mësuar deri në atë pikë.
Gjatë aktivitetit, u trajtuan disa tema kyçe për përgatitjen profesionale të studentëve, duke u ofruar shembuj praktikë të regjistrimeve kontabël, që ilustronin proceset reale të punës në një firmë. U theksua rëndësia e përgatitjes së pasqyrave financiare kryesore, ku proceset dhe teknikat e përdorura në hartimin e këtyre dokumenteve u shpjeguan në detaje, duke përfshirë analizën dhe interpretimin e të dhënave financiare.
Një tjetër element i rëndësishëm i kësaj ligjërate ishte ndihma që u ofrua për studentët në lidhje me rëndësinë e ndërthurjes së teorisë me praktikën. Ky aktivitet ka për qëllim t’u ofrojë studentëve njohuri të vlefshme për kërkesat aktuale të tregut të punës, duke i aftësuar ata për t’u përballur me sfidat që mund të hasin gjatë angazhimeve të tyre profesionale në të ardhmen.
Ky aktivitet përfaqëson një hap të rëndësishëm në zhvillimin profesional të studentëve të UBT-së dhe kontribuon në forcimin e lidhjeve mes njohurive teorike dhe aplikimit të tyre në botën reale të punës. Ndërthurja e këtyre dy elementeve është çelësi për të krijuar profesionistë të aftë dhe të gatshëm për të përballuar sfidat e sektorit të kontabilitetit.