Përfundon me sukses edicioni i trembëdhjetë i “Global UBT Fest 2024”

31/07/2024

Festivali tradicional i dijes dhe shkencës “Global UBT Fest 2024” ka përmbyllur edicionin e trembëdhjetë me sukses, duke realizuar të gjitha aktivitetet e planifikuara për këtë vit.

 

Gjatë 31 ditëve të korrikut, 30 shkolla verore mblodhën studentë, profesorë, ekspertë dhe profesionistë nga Kosova, rajoni dhe bota, për të organizuar debate dhe ligjërata tematike mbi çështje specifike. Qëllimi kryesor ishte avancimi dhe përfitimi i njohurive të reja për pjesëmarrësit dhe studentët në fushat e tyre të studimit.

 

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi rëndësinë e festivalit si një platformë për ndarjen e dijes dhe inspirimin e të rinjve drejt pasioneve të tyre për dijen dhe shkencën. Ai gjithashtu vlerësoi angazhimin dhe profesionalizmin e pjesëmarrësve, duke e cilësuar këtë eksperiencë si jashtëzakonisht të vlefshme për të gjithë.

 

“Ky festival përfshiu një gamë të gjerë aktivitetesh, nga prezantime të akademikëve dhe punëtori kreative, deri te sesione për ndarjen e ideve dhe njohurive. Gobal UBT Fest 2024 ka qenë një platformë e jashtëzakonshme për promovimin e dijes dhe shkencës, duke i mundësuar pjesëmarrësve të eksplorojnë ide të reja dhe të zhvillojnë pasionet e tyre. Angazhimi dhe kontributi i çdo pjesëmarrësi e kanë bërë këtë edicion të veçantë dhe të suksesshëm”, deklaroi rektori Hajrizi.

 

Ky festival jo vetëm që mblodhi pjesëmarrës nga Kosova dhe rajoni, por edhe nga bota, duke u ofruar atyre një mundësi unike për të zgjeruar dijen dhe eksploruar aspekte të ndryshme të profesionit të tyre. Pjesëmarrja aktive dhe shkëmbimi i përvojave dhe ideve e bënë këtë ngjarje një nga më të suksesshmet në fushën e dijes dhe shkencës në Kosovë dhe Evropë.