Përfundon aktivitetin Akademia Ndërkombëtare Verore e Infermierisë, diskutohet për sfidat shëndetësore të infermierëve dhe rolin e tyre në shëndetësi
20/07/2020Akademia Ndërkombëtare Verore e departamentit të Infermierisë ka mbyllur punimet e saj me diskutimin rreth sfidave shëndetësore të infermierisë pas pandemisë. Në këtë forum, mori pjesë edhe rektori i kolegjit UBT, prof.dr.Edmond Hajrizi, i cili studentëve të infermierisë u tha se profesioni që ata kanë zgjedhur ka një rol dominant në jetën e njerëzve. Hajrizi theksoj se, infermieria më nuk është vetëm një profesion ndihmës, por se tani ka kaluar në profesion në vete. Ndër të tjera, ai studentëve u tha se Kosova ka nevojë për magjistër të infermierisë, dhe se e ardhmja e tyre është shumë e mirë.
Ndër të tjera, rektori Hajrizi, shpalosi edhe propozimin që UBT i ka bërë institucioneve të vendit për krijimin e nje sistemi të integruar, digjitalizimin e institucioneve shëndetësore, për të krijuar një gjendje të re shëndetësore, bazuar në teknologjinë e fundit. Kjo do të ndihmonte, sipas profesor Hajrizit, që jo vetëm personeli shëndetësorë, por edhe qytetarët të shërbehen me këtë teknologji, që do të siguronte cilësi, efiçiencë, ngritje të kapaciteteve, si dhe përdorimin në maksimum të resurseve shëndetësore.
Profesori dhe njëherit rektori i kolegjit UBT, Edmond Hajrizi, u tha studentëve se me këtë teknologji dhe këtë qasje, infermierët mund të ofrojnë shërbime mobile, kontakte në distancë me pacientët nga shtëpia, që do t’i siguronte infermierëve përcjelljen e pacientëve 24/7. Sipas rektorit të kolegjit UBT, këto platforma ende s’janë mirë të zhvilluara, por me përkrahjen e institucioneve si UBT, ato mund të zhvillohen, dhe se Kosova në të ardhmen e afërt mund edhe të jetë model për vendet e tjera për këtë teknologji, pasi që në vendin tonë shëndetësia ka ende shërbime të ulta, mungesë të infermierëve, kuadrove profesionale, si dhe infrastrukturës.
Ndërkaq, profesori Dukagjin Sokoli, foli për sfidat në shëndetësi, sidomos më rastin e pandemisë COVID-19, por theks të veçantë i dha faktit se infermierëve u nevojitet zgjerimi i njohurive dhe standardizimi i tyre. Sipas profesorit Sokoli, në Kosovë nevojitet nje sistem i avancuar i informimit, dhe vlerësoj lartë sistemin që kolegji UBT ka realizuar me teknologjinë e fundit të saj.
Ndërkaq, dekani i fakultetit të Infermierisë, Fitim Alidema, u tha studentëve se ata (infermierët e ardhshëm), janë heronjë, dhe se puna dhe profesioni që kanë zgjedhur është profesion me sfida. Profesori Alidema, tha se nevojitet rritja e stafit dhe teknologjisë në sistemin shëndetësorë.