Përfaqësues të UBT-së po qëndrojnë për vizitë në Fakultetin e Ndërtimtarisë në Universitetin Teknik të Riga-s në Letoni
31/08/2023Drejtori për Çështje Akademike në UBT, Prof. Dr. Muhamet Ahmeti, i shoqëruar nga prodekani i Fakultetit Inxhinieri e Ndërtimit (Ndërtimtari) dhe Infrastrukturë në UBT, Visar Krelani, në kuadër të mobiliteteve Erasmus dhe rritjes së bashkëpunimeve, kanë qëndruar për vizitë në Fakultetin e Ndërtimtarisë në Universitetin Teknik të Riga-s në Riga të Letonisë.
Gjatë qëndrimit për vizitë në këtë fakultet përfaqësuesit e UBT-së janë takuar së pari më Zyrën Ndërkombëtare të Universitetit Teknik të Riga-s, me dekanin e Fakultetit të Ndërtimtarisë, Prof. Dr. Martin Vlnitis dhe profesoreshën Laura Vittola.
Përfaqësuesit e UBT-së në emër të Rektorit të UBT Prof. Edmond Hajrizi konfirmuan angazhimin e tij dhe të UBT-së që bashkëpunimet ndërkombëtare, mobilitetet e studentëve dhe zhvillimi i hulumtimeve vazhdon të jetë interes kyç i zhvillimit të mëtejmë.
Me përfaqësuesit e UBT-së u diskutuan mundësitë e bashkëpunimeve ku nga ana e Zyrës Ndërkombëtare u diskutuan në detaje mënyra e shkëmbimit të studentëve dhe po ashtu edhe pjesa e hulumtimeve dhe temave të studimit që stafi i dy palëve mund të realizojë si në Kosovë dhe në Letoni, si:
- Udhëheqje e përbashkët e temave Master;
- Bashkëpunim ndërmjet fakulteteve mbi tema të mundshme të PhD;
- Double Degree diploma;
- Planifikim i përbashkët për Erasmus Capacity Building, etj.
Takimet vazhduan në zyrën e dekanit të Fakultetit të Ndërtimtarisë, Prof. Martins Vilnitis, i cili mirëpriti përfaqësuesit nga UBT dhe shprehu mirënjohjen për vizitën dhe dëshirën që bashkëpunimi të vazhdojë dhe thellohet më tej.
Një vizitë e veçantë u realizua në Qendrën e Inovacionit të RTU-s ku përfaqësuesit e kësaj qendre prezantuan idetë e tyre dhe start-up që studentët po realizojnë me përkrahjen e RTU-s duke ndërlidhur edhe studentët direkt me industrinë.
Po ashtu, palët u dakorduan që bashkëpunimi të vazhdojë jo vetëm me Fakultetin e Ndërtimtarisë, por të shtrihet edhe në fakultetet tjera dhe të rrisin bashkëpunimin në nivel Universiteti.