Për herë të parë UBT po ofron kurs përgatitor për TOEFL – Grupi i parë është në formim

14/12/2018

Më shumë se 10,000 universitete, kompani dhe organizata, e njohin rezultatin e testit TOEFL, madje, edhe e përdorin si referencë të gjuhës, që ju ndihmon për të marrë vendime të mëdha, si pranimi në punë apo nisja e vazhdimi i studimeve.

Këtë mundësi mund ta shfrytëzoni në UBT, përmes ndjekjes së kursit përgatitor, që ju ndihmon të arrini rezultate të larta për TOEFL, IELTS dhe SAT.

 

Kursi fokusohet në trajnimin dhe aftesimin e studentëve në katër pjesët kryesore, të lexuarit, të shkruarit, të folurit dhe të dëgjuarit. Për më tepër, ky kurs ka për qëllim që t’i njoftojë kandidatët me pjesën teknike të testit, për mënyrën se si është dizajnuar, formatin dhe llojet e pyetjeve, në këtë mënyrë ata krijojnë një qasje të lehtë ndaj testit.

 

Pjesë e trajnimit është edhe njoftimi me procedurat kompjuterike të testimit në TOEFL. Instruktorët e testeve prezantojnë secilën pjesë të testit dhe do të ndihmojnë studentët me të gjitha problemet potenciale, që ata mund t’i hasin gjatë kësaj procedure.

Të përfshira në këtë program do të jenë edhe testet simuluese, që do t’ua japin studentëve ndjesinë reale të testit dhe mënyrën e menaxhimit të elementeve të testit para nënshtrimit.

 

Kurset për secilin nga këto teste zgjasin rreth 60 orë, dhe shtrirja standarde e orëve është tri herë në javë nga dy orë, ku kursi zgjat dy muaj e gjysmë.

Çmimi për kursin është 300, kurse për stafin dhe studentët UBT ofron 20% zbritje.