Pas një pune intensive disajavore, mbyll punimet ANV-ja e Medias dhe Komunikimit

26/07/2018

Pas një pune intensive me aktivitete e ngjarje të shumta, mbylli punimet Akademia Ndërkombëtare Verore e Medias dhe Komunikimit, e cila këtë vit u veçua me një numër të konsiderueshëm pjesëmarrësish nga institucionet tjera arsimore të Kosovës dhe më gjerë.

Për tri javë rresht, pjesëmarrësit e kësaj akademie përcollën aktivitetet e 24 shkollave verore që vijuan punimet gjatë gjithë korrikut, me ç’rast për të njëjtat realizuan qindra artikuj dhe mijëra fotografi e video, të cilat gjatë ditës së sotme u shfaqën të përmbledhura në një video të vetme.

Në këtë ANV nuk munguan as ligjëratat tematike mbi raportimin dhe shkrimin e duhur të lajmeve, realizimin e fotografive profesionale dhe montimin e videove, teksa akademia u pasurua edhe më shumë me punëtorinë për shkrim, lexim dhe mendim kritik, “PONDER”, e realizuar në bashkëpunim me Unicef-in.

 

ANV-ja e Medias dhe Komunikimit u përmbyll me shpërndarjen e certifikatave për të gjithë pjesëmarrësit për praninë e tyre në akademi, si dhe për pjesëmarrjen në punëtorinë “PONDER”, nga e cila katër studentë të përzgjedhur do të kenë mundësi të vijojnë punën praktike njëmujore në njërin nga mediumet vendore.