Pa definim të pronës nuk do të ketë zhvillim në Kosovë

13/11/2015

“Pa definim të pronës, të çështjeve që ndërlidhen me pronën, atë komunale, atë private, nuk do të ketë zhvillim në Kosovë”, theksoi Besnik Tahiri, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Qeverisje Lokale.

 

Për Republikën e Kosovës përvojat nga Austria do të ishin të shkëlqyeshme. Dera e madhe për Kosovën po të hapet vetëm atëherë kur të hyjmë në derën e vogël të mësimeve që mund të nxjerrim nga përvojat austriake”, tha z.Tahiri.

Zoti Tahiri i bëri komente në kuadër të konferencës për vetëqeverisjen lokale, ku u diskutua për pronën si shtyllë të përparimit në Kosovë, specifikat e çështjes së pronës në Kosovë, përvojat në vendet e rajonit dhe, me theks të veçantë, përvojat në Austri.

Konferenca u organizua nga Shoqata Austriake-Kosovare, UBT dhe Instituti i Kosovës për Qeverisje Lokale.

 

Ambasadorja e Zvicrës në vendin tonë, Krystyna Marty-Lang, në një fjalim më të gjatë theksoi përvojat zvicerane dhe specifikat e çështjes së pronës në Kosovë.

 

Shteti zviceran është përkrahësi më i madh i institucioneve të Kosovës në çështjet e pronës. Ajo theksoi se shteti zviceran përkrah ministrinë përkatëse dhe asociacionet që merren me problemet e pronës në nivel vendi, si dhe një numër komunash në vend.

 

Gjithashtu, zonja Krystyna Marty-Lang theksoi se udhëheqësit dhe kryetarët e komunave duhet të kujdesen që të gjitha ndërtimet të jenë sipas planit dhe që, sidomos, të kihet kujdes që, me rastin e ndërtimeve të reja, të mos ketë asnjë problem sa i përket pronës.

 

Përfaqësuesi i Asociacionit të Komunave të Austrisë dhe kryetar i komunës Lasse në këtë shtet, Karl Grammantisch, foli në detaje për mënyrën se si është e rregulluar çështja e pronës komunale dhe pronës private në Austri.

 

Ai theksoi ndërlidhjen e pronës me zhvillimin ekonomik të rajonit të caktuar, si dhe aspektet e tjera, siç është edhe aspekti i transportit, me qëllim të krijimit të kushteve më të mira për qytetarët.

Z. Grammantisch dha një varg detajesh për planifikimin në të gjitha nivelet, duke pasur gjithmonë parasysh ruajtjen e ambientit, llojet e ndryshme të tokave, zonat e mbrojtura, planet për ndërtime dhe, sidomos, involvimin e publikut në vendimmarrje.

 

Sazan Ibrahimi, drejtor i Asociacionit të Kosovës, paraqiti para të pranishmëve një historik të zhvillimit dhe punës së këtij asociacioni, karakterin dhe organizimin e tij, si dhe theksoi faktin se është shteti zviceran ai që jep ndihmën më të madhe në funksionimin e këtij asociacioni,  i cili mbledh në strukturën e tij organizative 33 nga 38 komuna sa ka Kosova.

 

Rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, duke folur në konferencë, ka theksuar problemet prezente në vendin tonë në lidhje me çështjen e pronës, si dhe faktin se UBT, me ekspertët e saj, ka dhënë një ndihmesë shumë të madhe për një varg komunash të Kosovës për hartimin e planeve të tyre zhvillimore afatgjate, ku prona zë një vend të veçantë, duke qenë një pikë shumë problematike në vendin tonë.

 

Edhe folës të tjerë, ekspertë të kësaj fushe, kanë theksuar problemet në këtë fushë dhe mënyrën për zgjidhjen e tyre.

 

 

Studentë të UBT-së dhe të interesuar të tjerë e kanë përcjellë konferencën dhe kanë marrë pjesë në debatin e gjerë të zhvilluar gjatë dhe pas diskutimeve.