Nxënësit e Shkollave të Mesme në UBT shënuan Ditën e Pavarësisë së Kosovës

17/02/2023

Nxënësit e Shkollës së Mesme të Mjekësisë dhe Gjimnazit UBT me program festiv festuan pesëmbëdhjetë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Presidenti i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi uroi nxënësit për Ditën e Pavarësisë së Kosovës, njëherit i impresionuar me angazhimin e tyre theksoi se këta të fundit janë ardhmëria e UBT-së dhe tërë Kosovës.

“Ju jeni ardhmëria e Kosovës. Duhet të punoni dhe të mësoni shumë për të arritur suksesin e dëshiruar. Ju jeni krenaria e UBT-së, e familjeve tuaja, por edhe e tërë Kosovës”, tha rektori Hajrizi.

Drejtoresha e Shkollave të Mesme në UBT, Hajrije Devetaku në urimin e saj për nxënësit theksoi se duhet ndjekur rrugën e edukimin dhe arsimimit për zhvillimin e mëtutjeshëm të Kosovës.

“Çdo përvjetor i Pavarësisë, vjen me mallin, dhimbjen, me lotin e nënave tona. Mbi të gjitha, çdo përvjetor vjen me dashurinë e madhe për Kosovën, me dëshirën për një jetë e mirëqenie më të mirë, për qytetarët e Republikës së Kosovës, për rininë e saj, për ju të dashur nxënës. Prandaj, ta ndjekim rrugën më të mirë për rritjen dhe zhvillimin e Kosovës, rrugën e edukimit dhe arsimimit cilësor”, u shpreh drejtoresha Devetaku.

Me këngë, valle, pika recitale e aktivitete të tjera u karakterizua programi festiv i organizuar nga nxënësit e shkollave të mesme, të cilët festuan bashkërisht me mësimdhënësit dhe prindërit, duke shënuar 15-vjetorin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.