Nxënësit e Gjimnazit të UBT-së, në një udhëtim edukativ në Finlandë

04/11/2024

Një grup prej 10 nxënësish nga gjimnazi i UBT-së morën pjesë në programin ndërkombëtar të shkëmbimit Erasmus+, i organizuar nga YSP Balkan në bashkëpunim me Helsinki YMCA. Ky projekt gjeti mbështetje të plotë nga Rektori i UBT, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, si dhe nga Drejtoresha e Gjimnazit të UBT-së, Dr. Hajrie Devataku.

Gjatë një jave, nxënësit e UBT-së patën mundësinë të përjetonin një eksperiencë të pasur dhe shumëdimensionale në Helsinki dhe Karjalohja. Nën kujdesin e stafit të YSP Balkan dhe Drejtoreshës Ekzekutive, Prof. Ejona Icka, e cila gjithashtu është pedagoge në UBT, të rinjtë u angazhuan në leksione, aktivitete sportive, lojëra dhe vizita kulturore.

Gjatë programit të shkëmbimit Erasmus+ në Finlandë, stafi i YSP Balkan, kishte parashikuar një strukturë mbështetjeje që përfshinte edhe një staf mjekësor. Kjo masë ishte e domosdoshme për të siguruar një përvojë të sigurt për pjesëmarrësit, duke pasur parasysh se shumica prej tyre ishin gjimnazistë nën moshën 18 vjeçare.

Pjesë e këtij stafi mjekësor ishte Blend Xhymshiti, një profesionist i licencuar nga FIFA, i cili gjithashtu është pjesë e stafit mjekësor që monitoron skuadrën kombëtare të Kosovës U16. Ekspertiza e tij në fushën e shëndetësisë dhe sportit kontribuoi në krijimin e një ambienti të sigurt për të rinjtë, duke i ofruar atyre mbështetje dhe ndihmë në çdo rast që mund të ishte e nevojshme.

Të rinjtë patën mundësinë të përqendroheshin plotësisht në aktivitetet e tyre, duke e ditur se shëndeti dhe siguria e tyre ishin në duar të sigurta. Ky përkushtim nga stafi mjekësor dhe organizatorët ishte një pjesë thelbësore e suksesit të këtij programi ndërkombëtar.

Programi ishte në përputhje me disa nga Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG), përfshirë Objektivin 4 (Arsim Cilësor), Objektivin 11 (Qytete dhe Komunitete të Qëndrueshme), Objektivin 16 (Paqe, Drejtësi dhe Institucione të Forta), dhe Objektivin 17 (Partneritete për Objektivat). Këto prioritete ndihmuan në krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për ndarjen dhe shkëmbimin kulturor, duke promovuar vlerat e përfshirjes, diversitetit dhe mundësive të barabarta.

Pjesëmarrësit patën mundësinë të angazhoheshin në punëtori interaktive dhe aktivitete që theksuan rëndësinë e ndërtimit të komuniteteve më kohezive dhe paqësore. Eksperienca e fituar gjatë kësaj jave shërbeu si një bazë e fortë për të rinjtë, duke i ndihmuar ata në përpjekjet e tyre për të kontribuar në zhvillimin e komuniteteve të tyre lokale.

Kjo përvojë e jashtëzakonshme në Finlandë shënon vetëm fillimin e një serie projektesh të ngjashme, të cilat janë parashikuar të vazhdojnë edhe në vitin 2025, duke ofruar mundësi të reja për të rinjtë e UBT për të mësuar dhe zhvilluar aftësi të reja në një kontekst ndërkombëtar. Kështu, UBT vazhdon të jetë një burim i rëndësishëm për arsimimin dhe zhvillimin e brezit të ri, duke e përgatitur atë për sfidat e botës moderne.