Nisi punimet Konferenca Ndërkombëtare e UBT-së për Shkencë, Teknologji, Biznes dhe Inovacion

30/10/2020

Me qëllim për të dhënë kontribut në zhvillimin e shkencës dhe të hulumtimit, si dhe për të mundësuar prezantimin e rezultateve të punës shkencore të profesionistëve të fushave të ndryshme, ka filluar punimet edicioni i nëntë i Konferencës Ndërkombëtare të UBT-së për Shkencë, Teknologji, Biznes dhe Inovacion.

 

Edhe këtë vit, konferenca ka mbledhur mbi 900 studiues, akademikë dhe studentë nga dhjetëra shtete të ndryshme të botës, të cilët në mënyrë virtuale do ti shpalosin të gjeturat nga hulumtimet e tyre në shumë fusha, ku do të ndikim në punën akademike, do të jenë në interes për publikun dhe në aspektin e ndjekjes së trendëve të fundit të zhvillimit në të gjitha fushat.

 

Përgjatë dy ditëve sa edhe zgjatë konferenca, edicionin e radhës të kësaj konference do ta pasurojnë punimet që do të prezantohen në 24 fusha shkencore të studimit, nga studiues vendor dhe nga vende të ndryshme të botës.

 

Në hapjen e kësaj konference, rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrzi, potencoi se konferenca po ndihmon në rrjetëzimin e institucioneve nga shumë vende të botës, teksa falënderoi secilin student dhe studiues që po japin kontribut në bërjen e kësaj konference madhështore.

 

Sipas tij, kjo ngjarje shkencore mundëson shkëmbimin e njohurive dhe shkathtësive në mes të hulumtuesve, profesorëve, studentëve të doktoratës dhe ekspertëve të ndryshëm nga industria.

 

“Kosova përmes UBT-së ka sjellë një frymë evropiane dhe digjitale të aktiviteteve, sidomos aktivitetet me karakter shkencor. Në këtë kohë pandemie është hera e parë që mbahet virtualisht një ngjarje e tillë shkencore më e madhja në Evropën Juglindore, por këtë vit në këtë edicion, të nëntin me radhë, UBT ka arritur jo vetëm të organizojë, por të pranojë hiç më pak se rreth 600 punime shkencore, me rreth 1 mijë autorë, nga shumë shtete të botës”, tha rektori Hajrizi.

 

Sikurse edhe viteve të kaluara, edhe këtë vit, konferenca u pasurua me pjesëmarrjen virtuale të ekspertëve dhe profesorëve ndërkombëtarë. Moshe Landsman, Philip Ubertini, Paolo Parisi, Andreë Goodspeed dhe Erzsebet Kaponyi nderuan punimet e këtij edicioni me fjalë rasti, të cilët thanë se kjo konferencë shërben si mundësi dhe indikatorë në zhvillimin e inovacioneve edhe në vend.

 

Sesionet do të nisin me prezantimin e hulumtimeve dhe të gjeturave shkencore në 24 fushat e hulumtimit shkencor, ku edhe po i zhvillon punimet konferenca ndërkombëtare e sivjetme.

 

Konferenca do ta shtrijë aktivitetin në fusha të ndryshme, që do të mbahen njëkohësisht, përfshirë:

 

Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri e Komunikimit;

Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi;

Mekatronikë, Inxhinieri e Sistemeve dhe Robotikë;

Inxhinieri e Energjisë Efiçiente;

Sistemet e Informacionit dhe Sigurisë;

Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor;

Inxhinieri e Ndërtimit, Infrastrukturë dhe Ambient;

Juridik;

Shkenca Politike;

Gazetari, Media dhe Komunikim;

Shkencat e Ushqimit dhe Bioteknologjisë;

Shkenca Farmaceutike dhe Natyrore;

Dizajn;

Psikologji;

Edukim dhe Zhvillim;

Modë;

Muzikë;

Art dhe Media Digjitale;

Stomatologji;

Mjekësi e Aplikuar.