Nis punimet Akademia e Infermierisë, Stomatologjisë dhe Farmacisë

09/07/2019

Mbi 100 pjesëmarrës, studentë, infermierë, stomatologë, farmacistë, morën pjesë në hapjen edicionit të sivjetmë të Akademisë Ndërkombëtare Verore të Stomatologjisë, Farmacisë dhe Infermierisë.

 

Hapjen e kësaj akademie e ka bërë dekani i Fakultetit të Infermierisë, prof.dr Fitim Alidema, i cili u tregoi pjesëmarrësve temat që do trajtohen dhe në përgjithësi aktivitetet që do të zhvillohen përgjatë disa ditëve në këtë shkollë verore.

 

Akademia e Infermierisë, Stomatologjisë dhe Farmacisë filloi me ligjëratën e profesorit në UBT, Dukagjin Sokoli, i cili ka shtjelluar ligjëratat me tema: “Metodat Sasiore të Hulumtimit në Shëndetësi” dhe “Metodat Cilësore të Hulumtimit në Shëndetësi”.

 

Akademia e Infermierisë ka vazhduar aktivitetin e vet ndaras me ligjëratën për Rolin e Infermierisë dhe Kardiologjisë, nga profesori Regjep Gjyliqi, njëherësh drejtor në Spitalin e Mileniumit.

 

Tutje, në ANV-në e Infermierisë ka ligjëruar drejtori i Spitalit të Ferizajt, Jeton Zeqiri, njëherësh ligjërues në UBT, ku ka prezantuar temën: “Roli i Infermierit në Spitalin e Ferizajt”.

 

Akademia e Farmacisë ka vijuar punimet me ligjëratën e Zafer Gashi, i cili ka ligjëruar temën: “Metodat e frytnimit të asistuar mjekësor – IVF”. Ai ka folur për standardet e këtyre shërbimeve në mënyrë që të jenë të sigurta dhe profesionale.

 

“Definimi i proceseve të reimbursimit të barnave dhe kushtet e kontraktimit të barnatoreve komunitare në Kosovë”, ishte tema që prezantoi profesori në UBT, Arianit Jakupi.

 

Akademia e Stomatologjisë ka vijuar punimet me përfaqësuesit e Spitalit Sirona, të cilët prezantuan punën dhe shërbimet që ofron spitali në fushën e stomatologjisë.