Nis implementimi i projektit për themelimin e Laboratorit Inovativ të Qeverisjes në Kosovë

06/03/2018

 

Pas disa takimeve dhe konsultimeve ndërmjet tyre, UNDP, UBT dhe Universiteti i Kembrixhit, edhe zyrtarisht po i japin jetë projektit për themelimin e Laboratorit të parë  Inovativ të Qeverisjes në Kosovë, implementimi i të cilit veçse i ka marrë hapat e parë.

 

Krijimi i kësaj qendre ka ardhur si rezultat i mungesës së auditorëve të kualifikuar dhe të trajnuar të performancës në Kosovë, dhe në këtë projekt madhor, UBT, me ekspertët e angazhuar, do të ofrojë mbështetje akademike dhe do të ketë rol kyç në hartimin e trajnimeve profesionale.

 

Laboratori Inovativ i Qeverisjes do të ketë për qëllim trajnimin dhe ngritjen e kredibilitetit të auditorëve në vendin tonë, teksa fokusi i projektit është hartimi i qasjeve dhe procedurave të reja relevante vendore për auditimin e performancës në Kosovë. Tutje, të njëjtat përfundime do të vihen në praktikë nga auditorët e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës.

 

Rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, tha se, që nga themelimi, UBT është munduar që mbi vete të bartë barrën e sjelljes së inovacioneve të fundit botërore në Kosovë, aq sa, tash, ky është shndërruar në mision kryesor për institucionin.

 

Sipas tij, edhe pjesëmarrja dhe roli i marrë në  një proces kaq të rëndësishëm për Kosovën, përbën një hap drejt rritjes së performancës së auditorëve, dhe paralelisht, edhe drejt shtimit të kredibilitetit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare të auditimit.

 

Bisedimet dhe bashkëpunimi për themelimin e një laboratori të tillë ka filluar tash e disa muaj, ndërsa pas një periudhe të shkurtër të implementimit, pritet që të dalin rezultatet e para prej tij.