Nga UBT në Itali – Rrugëtimi frymëzues i studentes së Shkencave të Ushqimit në UBT, Anisa Krasniqi

20/01/2025

Ish-studentja e Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologjisë në UBT, Anisa Krasniqi ka realizuar një rrugëtim të veçantë në fushën e hulumtimeve shkencore. Pas përfundimit të studimeve bachelor në UBT, ajo ka vazhduar studimet master në Universitetin e Firences, ku është angazhuar në studimin “Chronotype-adapted Diet and Weight Loss” në Spitalin Poliklinik Italian më të madhin në Firence, Azienda Ospedaliero-Universitaria Careggi, në bashkëpunim me Universitetin e Firences.

Në këtë studim, Anisa ka pasur një rol kyç si nutricioniste dhe hulumtuese, duke mbikëqyrur dhe ndihmuar në studimin e 142 pacientëve me mbipeshë dhe obezitet, duke përdorur një dietë të personalizuar bazuar në kronotipin e tyre.

“Fushat e shkencës dhe kërkimit janë një udhëtim i pafund, dhe unë jam e vendosur të kontribuoj me dijen dhe pasionin tim për të krijuar ndryshime pozitive. Studimet dhe përpjekjet e mia janë ndihmuar nga mundësitë që UBT më ka ofruar dhe nga përkushtimi ndaj zhvillimit të vazhdueshëm”, ka thënë Krasniqi.

Aktualisht, ajo është duke shkruar temën e diplomës, e cila është po ashtu e lidhur me këtë studim, duke u fokusuar në ndryshimet e mikrobiotës në varësi të kronotipit dhe rolin e mikrobiotës së shëndetshme në humbjen e peshës.

Me angazhimin dhe pasionin e saj për kërkimin shkencor, Anisa është një shembull i shkëlqyer i suksesit dhe i mundësive që ofron UBT për studentët e saj, duke i forcuar ata për një karrierë të suksesshme në fushën e shkencave dhe teknologjisë.