Nga UBT – doktoratë në Universitetin Teknik të Vjenës

05/04/2011

 

 

Prishtinë, 5 prill 2011 – Mimoza Dugolli, Lulzim Beqiri dhe Muhamet Ahmeti, të cilët kanë përfunduar studimet master në UBT, në Departamenti IEME, kurse z. Ahmeti në Departamentin Diplomaci dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, edhe më tutje kanë vazhduar punën në këtë drejtim dhe në këtë rast vlen të veçohet pranimi i tyre në studimet e doktoratës në Universitetin Teknik (TU) të Vjenës në Austri. Kjo u bë e ditur pasi që këta kandidatë gjatë këtyre ditëve kanë marrë konfirmimin nga TU-ja.

 

Hulumtimi i znj. Dugollit do të përqendrohet më shumë në sektorin e shkencave socio-ekonomike, dhe hulumtimi i saj do përcillet nga Prof. Dr. Peter Kopacek. Ky hulumtim më shumë do të jetë i drejtuar nga proceset që janë zhvilluar në Kosovën e pasluftës, respektivisht privatizimi i Ndërmarrjeve Publike, me theks të veçantë procesi i privatizimit të Korporatës Energjetike të Kosovës, staf i së cilës kompani është edhe vetë znj. Dugolli, ku mban pozitën e menaxheres në Departamentin e Përkrahjes Afariste.

 

“Ky është një proces mjaft kompleks që ndërlidh në vete shumë analiza, hulumtime, eksperienca të ndryshme nga vendet të cilat këtë fazë e kanë kaluar shumë kohë më parë, efektet sociale që do të shprehen gjatë këtyre proceseve etj, e posaçërisht kur një proces i tillë për Korporatën Energjetike të Kosovës është në hapat e parë të përgatitjes”, tha për gazetën UBT News Mimoza Dugolli, të cilës rrugët për studimet të tilla ia kanë hapur studimet master në IEME – UBT.

 

Punimet hulumtuese shkencore që i kemi zhvilluar gjatë programit master në UBT, e posaçërisht pjesës së ligjëratave në TU në Vjenë, kanë dhënë efekte pozitive në karrierën time dhe si rezultat i tyre sot kam fatin që të vazhdoj edhe më tutje me hulumtimet e mia shkencore në TU ne Vjenë, shtoi ajo.

 

Po ashtu, Lulzim Beqiri, i cili studimet master i ka përfunduar në UBT, njëherit edhe ligjërues në Departamentin e Arkitekturës dhe menaxher për zyrën e projekteve në UBT, ka fituar të drejtën të bëhet kandidat për doktoratë në TU, ku mentor e ka prof. dr. Peter Kopacek, dhe temë hulumtimi e ka ”Faktorët që ndikojnë në menaxhimin strategjik të ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla ndërtimore në Kosovë”.

 

Po ashtu edhe kandidati i tretë, Muhamet Ahmeti, i cili ka përfunduar studimet master në UBT, në Departamentin Diplomaci dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, po në këtë afat ka hyrë në studime të doktoratës në TU, mentor e ka prof. dr. Peter Kopacekun, ndërsa tema e tij është “Logjistika dhe transporti (inpakti i autostradës Merdar – Morinë) dhe menaxhimi i projekteve ndërtimore, autostrada Merdar-Morinë”.

 

Vlen të veçohet se studentët e UBT-së edhe më herët e kanë pasur këtë mundësi të lëvizin nëpër universitete më prestigjioze nëpër Evropë dhe botë. Një rast që vlen të  përmendur është Ilir Hajdini, i cili studimet themelore i ka përfunduar në UBT, masterin në Angli, kurse doktoratën e ka regjistruar në TU. Po ashtu edhe kandidati Binak Beqaj, i cili ka përfunduar studimet master në UBT, Departamenti IEME, vetëm gjatë këtyre ditëve ka mbaruar studimet e doktoratës dhe po qëndron në Universitetin e Teknologjik të Vjenës  për ta  mbrojtur temën e doktoratës me shumë sukses.