Nga studentë të UBT-së tani inxhinierë, asistentë e programerë në vende të ndryshme të botës
03/04/2024Marigona, Erëmira, Bardhi, Rilindi e Doruntina janë vetëm disa nga qindra ish-studentë, Alumni, dhe studentë të UBT-së, që nga një rrugëtim i shkëlqyer akademik, me vizion të qartë për të ardhmen, kanë shkruar historitë e suksesit, duke u punësuar në vende të ndryshme të Evropës dhe të Amerikës.
Për ta, sikurse për shumë të rinj të tjerë, familja ka qenë mbështetja e parë drejt rrugëtimit akademik, e më pas profesorët, kolegët dhe UBT kthehen në një familje të dytë, nga ku e gjejnë veten për rrugëtimin e tyre në karrierë, dhe pas kësaj ata bëhen shtylla kryesore e vendit, që ndërtojnë dhe zhvillojnë të ardhmen nga brenda dhe jashtë tij.
Studentë të shumtë të UBT-së, nga shkëmbimi studentor, apo edhe vazhdimi i studimeve në nivelin master jashtë vendit, kanë përfituar si në aspektin e njohjes së kulturave të tjera dhe socializimit, por edhe në aspektin e njohjes së tregut ndërkombëtar. Kjo i ka dhënë një mundësi për t’u punësuar atje, me qëllimin për të kontribuuar edhe për Kosovën në të ardhmen.
Marigona Gashi, dikur studente e Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikim Hapësinor, tani është e punësuar si asistente në Universitetin “James Madison” në ShBA. Ajo gjithashtu koordinon qëndrueshmërinë në një kompani në New York. Përvoja në UBT i ka dhënë bazën për zhvillimin profesional.
“Përvoja në UBT ishte e frytshme dhe më ofroi një bazë të qëndrueshme për zhvillimin tim personal dhe profesional. Kurdo që kam pasur nevojë për ndihmë dhe këshilla, profesorët dhe stafi akademik ishin gjithmonë të gatshëm për të më ndihmuar. Nëpërmjet projekteve dhe punës së grupit, u mora me sfida akademike të cilat më ndihmuan të zhvillojë aftësitë dhe të përfitojë njohuri të reja në fushën time të interesit”, ka thënë Gashi.
Erëmira Kastrati, ish-studente në Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri në UBT, është punësuar si programere në kompaninë “Google” në Gjermani. Zgjodhi UBT-në për mjedisin studimor dhe infrastrukturën moderne. Përvoja në UBT i siguroi një bazë të fortë në shkencën kompjuterike dhe inxhinieri.
“Në UBT mora shumë bazë të fortë, forcë, mbështetje dhe u vërtetova që programi Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri është fushë e kompletuar e ekspertizës së botës teknologjike dhe informative dhe ndikon në formimin e specialistëve po të kësaj fushe”, ka thënë Kastrati.
Bardh Rushiti, ish-student i Fakultetit të Inxhinierisë së Mekatronikës në UBT, tani punon si inxhinier i Vizionit Kompjuterik dhe Inteligjencës Artificiale në “Calvary Robotics” në Rochester të New York-ut. Ai zgjodhi UBT-në për mjedisin e stimulueshëm dhe kurrikulën e avancuar që i hapi dyert e njohurive dhe mundësive të shumta.
“Vendimi për të zgjedhur UBT-në para institucioneve të tjera u nxit nga kurioziteti im dhe etja për një përvojë mësimore të thellë dhe interaktive. UBT ishte i njohur për ndërlidhjen e fortë profesor-student. Atmosfera ishte inkurajuese. Kjo ishte thelbësore në zhvillimin e njohurive dhe në kultivimin e një mendësie kureshtare”, ka thënë ai.
Njësoj sikurse Marigona, Erëmira dhe Bardhi, edhe Rilindi Sadiku, ish-student i Fakultetit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor, është punësuar në kompaninë “AHW Ingenieure”, si inxhinier në Departamentin për Inovacion Teknologjik.
Doruntina Çoçaj është një tjetër shembull i suksesit të studentëve të UBT-së në tregun ndërkombëtar. Si zëvendëse menaxhere e prodhimit në kompaninë “Agaplesion Catering” në Gjermani, ajo udhëheq me shembull në menaxhimin e operacioneve dhe zhvillimin e biznesit në një ambient të vështirë konkurrues.
Këto histori të suksesit janë vetëm disa shembuj nga një numër i madh i studentëve dhe ish-studentëve të UBT-së që po ndërtojnë karrierën e tyre në nivel ndërkombëtar. Me përkushtim, aftësi dhe një arsim të shkëlqyer, ata po bëjnë të njohur emrin e UBT-së, dhe të Kosovës, në mbarë botën dhe po e shndërrojnë atë në një qendër për shkëlqimin e arsimit dhe inovacionit.