Nga dhjetori, UBT fillon Shkollën Përgatitore për Doktoraturë

01/12/2017

Për herë të parë që nga themelimi i UBT-së, ky institucion do të fillojë organizimin e shkollës përgatitore për zhvillimin e studimeve të doktoraturës.

 

Kjo shkollë do të fillojë funksionimin me qëllim të zhvillimit të aftësive të kandidatëve dhe përgatitjen e tyre në aspektin shkencor, për aplikim të suksesshëm në studimet e doktoraturës.

 

Rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi theksoi rolin dhe nevojën për themelimin e një shkolle të tillë , teksa shpërfaqi modulet e programit, shqyrtimet e literaturës relevante dhe metodologjinë e punës.

Sipas Hajrizit, targeti kryesor i kësaj shkolle do të jetë stafi dhe studentët e UBT-së, të cilët i kanë përfunduar studimet themelore, por edhe studentë dhe individë të tjerë nga Kosova dhe regjioni.

“Kosova ka nevojë dhe kërkesë të madhe për organizimin e trajnimeve të tilla, andaj tashmë UBT po e krijon këtë mundësi dhe do t’i përgatisë profesionalisht kandidatët për studimet e doktoratës”, tha Hajrizi.

 

Shkolla e Doktoratës do të zgjasë shtatë module dhe fillon në muajin dhjetor, e gjatë tërë kësaj kohe, kandidatët do të marrin njohuri nga ligjërues vendorë e ndërkombëtar, profesionistë të kësaj fushe, teksa pas përfundimit, pjesëmarrësit do të jenë në gjendje t’i vijojnë studimet e doktoraturës në nivel ndërkombëtar.

 

Të interesuarit që duan të bëhen pjesë e kësaj shkolle do të fitojnë edhe kredi që njihen gjatë studimeve të doktoraturës, të cilat janë të pranuara në mbi 250 universitetet ndërkombëtare me të cilat UBT ka marrëveshje bashkëpunimi.