Nesër, në UBT mbahet “Ecodairy Workshop”, ftohen për pjesëmarrje studentët e Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologjisë dhe të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës
13/02/2018
Nesër, më 14 shkurt 2018, duke filluar nga ora 09:00, për studentët dhe stafin e Fakultetit të Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologjisë si dhe për studentët dhe stafin Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës të UBT në partneritet me Universitetin e Shkencave të Aplikuara, “van Hall/Larenstein”, nga Holanda, do të organizojë një punëtori në të cilën do të trajtohen çështje që aktualisht kanë ngritur diskutim edhe në nivel global.
Aktiviteti do të mbahet në Kampusin Inovativ të UBT-së, në Lipjan.
Punëtoria po organizohet në kuadër të “Ecodairy Project” dhe do të ketë në fokus çështjen e trajtimit të ujërave të zeza të industrisë së ushqimit, sigurinë e ushqimit, kualitetin e qumështit të papërpunuar dhe trajtimin e hirrës.
Folës do të jenë ligjëruesit e vH/L, Sjaak van Burgsteden dhe Koos de Vries dhe eksperti i inxhinierisë ushqimore, Reinier Zaal.
Qëllimi kryesor i “Ecodairy Project” është që të përmirësojë performancën mjedisore të përpunuesve kosovarë të qumështit dhe të ofrojë shembuj praktikë dhe mbështetje për këtë sektor. Projekti është bashkëfinancuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (A) dhe Yuniko (NL).
Një pjesë e projektit është fokusuar në zhvillimin e një qendre të ekspertizës për të mbështetur industrinë e qumështit në këtë sfidë.