Në UBT u zhvillua Konferenca e Ekosistemit Inovativ (Under the Jim Xhema Highland)

17/02/2024

Në një ceremoni solemne, në Qytetin e Mençur të UBT-së, në Lipjan, u zhvillua Konferenca e Ekosistemit Inovativ (Under the Jim Xhema Highland), e cila mblodhi shqiptarë nga Amerika, arbëreshë të Italisë, studiues nga Austria, profesorë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, si dhe profesorë dhe studentë të UBT-së.

Në këtë ngjarje morën pjesë: Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, kryetari i Bashkisë së Shën Mitër Koronës (San Demetrio Corone), njëherit kryetar i Fondacionit të Institutit Rajonal të Komunitetit Arbëresh të Kalabrisë, Ernesto Madeo, kryetari i Federatës Pan-shqiptare “Vatra”, Elmi Berisha, Presidenti i Shoqatës “Korabi” nga Italia, Genc Podgorica, arkitekti, Gjon Radovani dhe ish-presidenti i Interportos dhe Acer-it, Dr. Alessandro Alberani.

Në fjalën e tij, Rektori Hajrizi falënderoi të pranishmit, si dhe i uroi ata për 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Ai tha se kjo është një ditë e veçantë dhe na bën të reflektojmë për të qenë të bashkuar në ndërtimin e një vizioni për të ardhmen.

“Bashkëpunimi ndërmjet nesh është me të vërtetë një arritje e mirë dhe për t’u vlerësuar. Faleminderit shumë për kontributin tuaj dhe për energjinë, dhe jeni një model i mirë për ne për t’u ndjekur. Me të vërtetë arbëreshëve iu desh të largohen vite më parë nga Shqipëria dhe Kosova, meqenëse siç e dimë këto dy vende gjithmonë kanë kaluar në periudha të vështira. Por, kjo neve sot na bën më të fortë dhe më të bashkuar për të ndërtuar të ardhmen tonë, në një zonë mjaftë të mirë”, ka thënë Rektori Hajrizi.

Dr. Ernesto Madeo tha se Arbëria i ka dhënë frymëzimin dhe shpirtin autorit tonë të madh, Jeronim de Rades. Ai tha se është detyrim të ndërveprohet edhe me universitetet dhe të krijojnë hapësira për studentët e interesuar për studimet italiane, arbëreshe dhe shqiptare.

“Dy presidentët, nga Kosova dhe Shqipëria, gjatë vizitës së tyre në Kalabri, shprehën gatishmëri për të bashkëpunuar. Një popull, një histori, një gjuhë. Gjaku ynë i shpërndarë nëpër botë. Ky është qëllimi i misionit tonë që po e çojmë përtej me ndihmën e shumë miqve dhe kolegëve. Kështu që kemi kënaqësinë të ndërveprojmë edhe me universitetet. Do të kemi kënaqësinë të krijojmë klasa të reja në bashkëpunim me kolegjin më gjithëpërfshirës në Itali, si ai i Sant’Adrianos, në të cilën kemi në dispozicion 40 vende, për të cilat do të donim të krijojmë hapësira për studentët për të ardhur dhe studiuar, dhe për të çuar më tej jo vetëm studimet italiane, por mbi të gjitha ato arbëreshe dhe shqiptare”, ka thënë Madeo.

Në fjalën e tij, kryetari i Federatës Pan – Shqiptare “Vatra”, Elmi Berisha tha se UBT për 22 vjet i ka dhënë Kosovës, një dritë, një të ardhme, inovacion dhe shpresë.

“Jam i nderuar të jem sot prezent këtu në mesin e vëllezërve dhe motrave tona, nga gjaku ynë, që vijnë për të vizituar këtë universitet shumë të veçantë, që për 22 vjet i ka dhënë Kosovës, Kosovës së re dhe të pavarur, një dritë, të ardhme, inovacion dhe shpresë. Përkushtimi i Rektorit Hajrizi, është premtues, dhe nuk duhet të shqetësohemi, sepse në një të ardhme shumë të afërt të rinjtë nuk do të largohen nga ky vend i mrekullueshëm. Dhe të gjitha këto janë thjesht sepse universiteti, ky si UBT, bën që kjo të ndodhë. Ne duhet të trajnojmë këta studentë të bukur që të përputhen me botën e sotme. Mesazhi im për këta studentë është që në këtë qiell, çdo gjë është e mundur, vazhdoni të studiojnë me vendosmëri, vazhdoni të punoni me zell, dhe arritjet tuaja do të shpërblehen”, u shpreh Berisha.

Genc Podgorica nga Shoqata “Korabi” u shpreh i emocionuar për prezencën e tij në UBT dhe theksoi se shqiptarët gjithmonë kanë dhënë gjithçka nga vetja dhe e kanë kthyer kokën pas çdo herë që është kërkuar.

“Jam shumë i emocionuar se po bëjmë ca hapa të mëdha po kemi ca shembuj shumë të mira që po vijnë nga jashtë. Ne atje po mundohemi të marrim shembuj të mirë, siç është UBT, dhe të aplikojmë edhe atje në Bolonjë të Italisë. Shqiptarët gjithmonë ikin, por kur është nevoja për ndihmën e vendit tonë, ata kthejnë kokën mbrapa. Si Jeronim De Rada që ishte i pari që vuri themelet e rilindjes kombëtare. Kjo është historia nga Skënderbeu, nga arbëreshët që kanë dhënë ndihmën më të madhe”, tha Podgorica.

Arkitekti, Gjon Radovani dhe ish-presidenti i Interportos dhe Acer-it, Dr. Alessandro Alberani shprehën gatishmërinë e tyre për të kontribuar dhe për të bashkëpunuar, ndërsa Marco Spinedi, Presidenti i Interportos nga Bolonja në Itali, përmes një video-mesazhi përcjelli përgëzimet e tij për këtë konferencë duke theksuar bindjet e tij se kjo do të jep rezultate konkrete në të ardhmen.

Kjo ngjarje ishte e rëndësishme dhe një shembull i mirë i bashkëpunimit dhe inovacionit në fushën e arsimit dhe zhvillimit të komunitetit.