Në UBT u shënua Dita Ndërkombëtare e Sistemit të Informacionit Gjeografik (GIS)
15/11/2023Këtë vit, UBT ishte nikoqire për shënimin e ditës ndërkombëtare të Sistemit të Informacionit Gjeografik (GIS), nën organizimin e Fakultetit Sisteme të Informacionit, me ç’rast u mbajt një diskutim i hapur me ekspertë dhe hulumtues me temën: “Përdorimi i GIS në vendimmarrje hapësinore në Kosovë”.
Hapjen e këtij diskutimi e bëri Dekani i Fakultetit Sisteme të Informacionit, Dr. Blerton Abazi, i cili theksoi nevojën e rritjes së rëndësisë së GIS-it, por edhe fushave që janë të ndërlidhura dhe që ndikojnë në pjesën e gjeografisë.
Në fjalën e tij, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi theksoi se tema për GIS-in duhet të bëhet temë e përditshme dhe të përdoret më shumë duke e parë pjesën e zhvillimeve dhe se si GIS është bërë bazament shumë i rëndësishëm për të ardhmen.
“GIS është një temë e përditshme, si dhe do të përdoret edhe më shumë duke e parë pjesën e zhvillimit dhe se si GIS është bërë bazament i rëndësishëm për të ardhmen. Për kompleksitetin e problemeve, mendoj që përgjigja vjen prej një koncepti të tillë. Në kuadër të ekosistemit të UBT-së ku kemi gjeneruar mbi 30 koncepte inovative, kemi menduar që edhe GIS duhet të vendoset edhe të merr peshën e rëndësishme që ka dhe reflektimin e të rinjve që të përdorin sa më shumë dhe të kenë kompetencë të punës së tyre në të ardhmen”, u shpreh Rektori Hajrizi.
Panelistët e ftuar ishin: Dr. Binak Beqaj nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, Msc. Gresa Neziri, urbaniste njëherit bashkë-themeluese dhe drejtore ekzekutive në SpaceSyntaKs, Msc. Murat Hoxha, kryetar i Shoqatës së Gjeodetëve të Kosovës, Dr. Edon Maliqi, profesor i Gjeoinformatikës dhe Hartografisë në UBT dhe MSc. Rizah Murseli nga Divizioni i GIS-it në Institutin për Planifikim Hapësinor në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Ata diskutuan për aspekte të ndryshme të implementimit të GIS, duke theksuar rolin e tij në proceset e marrjeve të vendimeve hapësinore në Kosovë. Ekspertët ndanë shqyrtimet e tyre në lidhje me sfidat dhe mundësitë lidhur me përdorimin e GIS në kontekstin e informacionit gjeografik dhe marrjes së vendimeve.
Diskutimi përfundoi me një angazhim të përbashkët për të promovuar më tej përdorimin e GIS në fusha të ndryshme dhe për të përmirësuar nismat arsimore. Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm midis akademisë, industrisë dhe qeverisë për të përfituar plotësisht nga potenciali i GIS për zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës.
Në këtë ngjarje ishin të ftuar përfaqësues nga institucionet, universitetet, industria, përdorues, profesorë dhe studentë me qëllim që të ndajnë përvojat e tyre shkencore, akademike, industriale dhe profesionale.