Në UBT u organizua debat i hapur rreth drejtësisë kushtetuese në Kosovë

10/04/2023

Në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, përmes një debati të hapur të organizuar nga Fakulteti Juridik, është shënuar Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Drejtësia Kushtetuese në Kosovë – zhvillimi dhe pritshmëritë”, ishte tema kryesore të cilën e zhvilluan paneli i përbërë nga: ish-avokat i popullit, Hilmi Jashari, ish-gjyqtari dhe nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu dhe profesori Xhavit Shala.

Debatin e hapi dekani i Fakultetit Juridik, Visar Hoxha, i cili në fjalën hyrëse të tij i përshëndeti të pranishmit dhe njëherit i uroi ata dhe të gjithë qytetarët për Ditën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke theksuar nevojë e angazhimit të secilit për të ndërtuar një shoqëri të barabartë.

Hilmi Jashari, Kadri Kryeziu dhe Xhavit Shala diskutuan rreth Gjykatës Kushtetuese, ndikimit të saj në ndërtimin e shtetit të së drejtës në Kosovë, si dhe rreth mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave themelore të njeriut dhe sfidave me të cilat përballet Avokati i Popullit.