Në UBT u ndanë certifikata për ekipin kosovar pjesëmarrës në “FIRST Global Challenge”

21/12/2024

Në një ceremoni të veçantë në UBT, u ndanë certifikatat për nxënësit dhe studentët pjesëmarrës në garën prestigjioze ndërkombëtare të robotikës FIRST Global Challenge. Ekipi i First Global Kosova, i përfaqësuar nga Leona Hajrizi, Harisa Haziri dhe Amar Rama, nën mentorimin e Elita Hajrizit, u nderua për kontributin dhe angazhimin e tyre në këtë garë të rëndësishëm.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, shprehu mirënjohje të thellë për punën dhe vullnetarizmin e treguar nga studentët dhe nxënësit, të cilët po dëshmojnë suksese të jashtëzakonshme në fushën e robotikës.

Në fjalën e saj, Elita Hajrizi, mentore e ekipit të First Global Kosova, theksoi sfidat e shumta me të cilat janë përballur për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga disa shtete, por vlerësoi përkushtimin dhe ambicien e ekipit. “Kemi arritur të thyejmë perceptimet dhe paragjykimet për Kosovën, duke treguar përkushtim dhe profesionalizëm. Sot, shumë shtete dhe popuj kanë pasur mundësinë të njohin më mirë Kosovën dhe shprehin dëshirën të vizitojnë vendin tonë në të ardhmen,” tha ajo.

Gara ndërkombëtare FIRST Global Challenge synon të promovojë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar mes të rinjve nga e gjithë bota, duke i inkurajuar ata të përdorin aftësitë teknologjike për të zgjidhur sfidat globale dhe për të kontribuar në një të ardhme më të qëndrueshme.

Kosova, përmes përfaqësuesve të saj, po vazhdon të tregojë potencialin e lartë të rinisë në teknologji dhe inovacion.